Transmetuar më 27-05-2026, 23:40

PRISHTINË – Kosova hyn të enjten zyrtarisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, në një proces që zhvillohet pas një periudhe të tensionuar politike dhe pas disa proceseve zgjedhore brenda një harku të shkurtër kohor.

Zgjedhjet e reja vijnë pas krizës institucionale të krijuar nga dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues, duke çuar vendin në një cikël të ri elektoral.

Subjektet kryesore politike kanë paralajmëruar nisjen e aktiviteteve hapëse të fushatës në qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa gara pritet të jetë e fokusuar te përplasja mes partive kryesore dhe kandidatëve për drejtimin e qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje do ta hapë fushatën në Ferizaj në orën 19:30, me një tubim në palestrën sportive të qytetit, ku kryeministri aktual Albin Kurti synon një mandat të ri qeverisës.

Partia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë aktivitetin hapës gjithashtu në Ferizaj në orën 20:00, me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza.

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nisë fushatën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë në orën 18:00, duke hyrë në garë me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta çelë fushatën në Gjakovë në orën 19:45, me Ardian Gjinin në garë për kryeministër, pas tërheqjes së Ramush Haradinajt nga drejtimi i partisë.

Sipas kalendarit zgjedhor, fushata do të zgjasë deri më 6 qershor, një ditë para votimit, ndërsa partitë pritet të intensifikojnë aktivitetet e tyre në gjithë territorin e vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit