Transmetuar më 27-05-2026, 18:31

PRISHTINË – Dy kongresmenë amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, pritet të zhvillojnë këtë të mërkurë takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Sipas mediave maqedonase, në qendër të diskutimeve do të jenë shqetësimet lidhur me, siç pretendojnë përfaqësuesit shqiptarë, cenimin e të drejtave të shqiptarëve dhe përpjekjet për zbehjen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit.

Takimet pritet të mbahen në Prishtinë, ku aktualisht ndodhen dy kongresmenët amerikanë në kuadër të vizitës së tyre në rajon.

Në takimin me Lëvizjen Studentore shqiptare do të marrë pjesë edhe Mevlan Ademi, së bashku me përfaqësues të studentëve që kanë organizuar protestat e fundit për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe respektimin e të drejtave kushtetuese e ligjore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Burime nga organizatorët bëjnë të ditur se studentët do të paraqesin shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe me paralajmërimet për, sipas tyre, kthim pas në raport me të drejtat e fituara pas Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërkaq, në orën 20:30, kongresmenët Keith Self dhe Suhas Subramanyam pritet të zhvillojnë një tjetër takim me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në këtë takim do të marrin pjesë Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Zijadin Sela.

Temë kryesore e diskutimeve pritet të jenë zhvillimet politike në vend, pozicioni i shqiptarëve dhe shqetësimet për tendenca që, sipas opozitës shqiptare dhe Lëvizjes Studentore, rrezikojnë parimet e barazisë dhe bashkëjetesës të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Gjatë vizitës së tyre në rajon, dy kongresmenët amerikanë kanë vizituar edhe Preshevën, ku kanë zhvilluar takime me përfaqësues politikë shqiptarë në Luginë. Ata janë pritur gjithashtu nga drejtuesit më të lartë institucionalë të Kosovës.

Keith Self dhe Suhas Subramanyam njihen si mbështetës të vazhdueshëm të çështjeve shqiptare në rajon, duke mbështetur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, si edhe përpjekjet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit