Transmetuar më 27-05-2026, 16:00

Trafik droge mes Spanjës, Shqipërisë dhe Italisë, mbyllen hetimet për 9 persona – baza operative në Leçe

Autoritetet italiane kanë përfunduar hetimet paraprake për një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës që operonte mes Spanjës, Shqipërisë dhe rajonit të Pulias, me bazë operative në zonën e Leçes.

Sipas mediave italiane, Guardia di Finanza e Leçes ka njoftuar përmbylljen e hetimeve për 9 persona të dyshuar, mes tyre dy shtetas italianë nga zona e Salentos dhe shtatë shtetas marokenë, të banuar në provincat Leçe, Modena dhe Bolonja.

Skema e trafikut

Hetimet, të zhvilluara nga njësia speciale GICO dhe Nucleo PEF i Leçes, fokusohen te një grup i dyshuar kriminal i përfshirë në trafik ndërkombëtar dhe shpërndarje droge, me aktivitet kryesisht në rajonin e Salentos dhe me degëzim edhe në provincën e Napolit.

Sipas akuzës, droga ndiqte itinerarin Spanjë–Shqipëri–Salento, duke kaluar nëpër këtë rrjet të strukturuar kriminal.

Sekuestrime të mëdha

Gjatë operacionit, autoritetet italiane kanë sekuestruar në zonën e Leçes mbi 110 kilogramë lëndë narkotike, mes tyre kokainë dhe hashash.

Po ashtu janë sekuestruar 4 automjete të kategorisë së mesme dhe luksoze, ndërsa gjatë hetimeve janë kryer 7 arrestime në flagrancë.

Sipas vlerësimeve të hetuesve, nëse kjo sasi droge do të hidhej në treg, grupet kriminale do të përfitonin rreth 500 mijë euro fitime të paligjshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e çdo personi të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit