Transmetuar më 27-05-2026, 14:13

Shqipëria ka hyrë në një nga fazat më vendimtare të procesit të integrimit europian, por mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë: ritmi i shpejtë i negociatave nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në terren

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e zhvilluar më 26 maj në Bruksel, shënoi një moment të rëndësishëm politik dhe institucional për vendin. Shqipëria mori konfirmimin se ka përmbushur objektivat e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, i konsideruar si bërthama e gjithë procesit negociues, pasi përfshin reformën në drejtësi, funksionimin e shtetit ligjor, të drejtat themelore, sigurinë dhe institucionet demokratike.

Megjithatë, ajo që u prezantua si sukses diplomatik, në thelb është vetëm hyrja në provimin më të vështirë.

Bashkimi Evropian e bëri të qartë se vlerësimi pozitiv për Shqipërinë nuk lidhet më me premtime apo struktura të ngritura në letër, por me aftësinë për të prodhuar rezultate reale, të matshme dhe afatgjata.

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi hapur progresin e Shqipërisë, veçanërisht reformën në drejtësi, procesin e vetingut dhe funksionimin e SPAK, duke e cilësuar këtë institucion si një nga arritjet më domethënëse të viteve të fundit.

Sipas saj, Shqipëria ka kaluar një etapë të rëndësishme, por kjo nuk nënkupton afrim automatik drejt anëtarësimit. Përkundrazi, është momenti kur presioni rritet.

Mesazhi i Brukselit ishte i prerë: tani kërkohet thellim i reformave, respekt i plotë për pavarësinë e drejtësisë dhe vazhdim i luftës kundër korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë.

Në këtë kontekst, vlerësimi për SPAK nuk është thjesht institucional, por politik. Për BE-në, aftësia e Shqipërisë për të lejuar drejtësinë të funksionojë pa ndërhyrje politike do të jetë testi real i seriozitetit europian të vendit.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e paraqiti këtë moment si një sukses historik, duke pompuar se Shqipëria ka arritur të ecë me ritëm rekord në hapjen e kapitujve negociues.

Por retorika politike e “rekordeve” nuk ndryshon natyrën e procesit. Negociatat me BE-në nuk maten me shpejtësinë e hapjes së kapitujve, por me cilësinë e reformave dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Për më tepër, ekuilibrat me opozitën janë gjithashtu të rëndësishme dhe fakti që qeveria ka në dorë thuajse të gjitha pushtetet, është shqetësim më vete për disa nga vendet kryesore të BE. Me një opozitë të shkatërruar, e cila nuk arrin, për shumë arsye, të fitojë asnjë palë zgjedhje prej mëse 13 vjetësh, disa në Bruksel e shohin as më shumë dhe as më pak, por një monopol politik ku i fituari është vetëm kryeministri aktual që duket se as nuk ka nevojë të garojë për mandat të pestë.

Problemet me Greqinë dhe krizat e vazhdueshme për çështje që prekin minoritetin grek, janë gjithashtu ndikuese në proces.

Shprehja e Ramës se Shqipëria ndodhet në “fillimin e fundit” është politikisht e fortë, por realiteti evropian është më i ftohtë: vendi është ende në mes të procesit dhe kapitulli më i vështirë sapo ka nisur.

Sinjalet nga ambasadorët perëndimorë në Tiranë e përforcojnë këtë lexim.

Ambasadori gjerman Karl Bergner e lidhi drejtpërdrejt progresin drejt BE-së me forcimin e shtetit ligjor dhe funksionimin real të demokracisë pluraliste.

Ndërsa ambasadori holandez Reinout Vos vendosi vijën e kuqe: respekt absolut për pavarësinë e gjyqësorit dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, edhe kur përfshihen nivelet më të larta të pushtetit.

Ky është ndoshta mesazhi më i rëndësishëm politik i momentit.

BE nuk kërkon më reforma formale. Kërkon prova.

Ndaj për shumëkënd që e pa eventin e Brukselit si hapje e shulit të derës, duhet ta ketë të qartë se vërtet Shqipëria ka fituar një moment pozitiv në Bruksel, por jo garanci për anëtarësim, ndaj dera mbetet ende e mbyllur.

Tani e tutje, procesi evropian nuk hyn më në fazën e deklaratave optimiste, por në fazën e llogaridhënies konkrete.

Nëse vitet e fundit ishin periudha e ndërtimit të institucioneve, vitet që vijnë do të jenë periudha e testimit të tyre.

Dhe pikërisht aty do të vendoset nëse Shqipëria po ecën realisht drejt Europës, apo thjesht po avancon në një proces teknik pa transformim të thellë shtetëror.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit