

Një valë e pazakontë të nxehti ka përfshirë disa vende të Europës që në fund të muajit maj, duke sjellë temperatura rekord, netë tropikale dhe pasoja serioze për shëndetin publik, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin për rrezikun që paraqet moti ekstrem.
Fenomeni, i konsideruar i pazakontë për këtë periudhë të vitit, ka prekur veçanërisht Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandën, ku temperaturat kanë kaluar mbi 30 gradë Celsius. Në Londër, termometri ka arritur deri në 35°C, duke shënuar një rekord historik për muajin maj.
Korrespondenti i BBC-së në Paris, Hugh Schofield, përshkroi njerëzit që vraponin për të gjetur hije “sikur të ishte mesi i gushtit” në kryeqytetin francez, ku temperaturat arritën në 34°C të martën.
Kjo vjen pasi shërbimi kombëtar meteorologjik i Francës deklaroi se një “kupolë nxehtësie” e vendosur mbi Europën Perëndimore po sjell temperatura 10 deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren normale për muajin maj.
Një turist i tha BBC-së se kishte zgjedhur muajin maj për të vizituar Parisin pikërisht për të shmangur vapën e muajve të verës.
“E dimë që në qershor, korrik dhe gusht mund të jetë vërtet shumë keq, ndaj mendova se nëse vinim në maj, do të ishte më e lehtë”, tha Brent, një turist nga Australia.
Në Francë, autoritetet kanë raportuar të paktën shtatë viktima të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me temperaturat ekstreme. Mes rasteve të raportuara janë mbytje në lumenj dhe zona ujore në rajone të ndryshme, ndërsa dy persona të tjerë kanë humbur jetën gjatë aktiviteteve sportive në kushtet e vapës së fortë.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar viktima, kryesisht persona që janë futur në liqene apo rezervuarë për t’u freskuar. Mediat britanike raportojnë se të paktën pesë persona kanë humbur jetën nga mbytjet gjatë ditëve të fundit.
Shërbimi meteorologjik britanik, Met Office, ka zgjatur paralajmërimet për vapë ekstreme në pjesën më të madhe të Anglisë dhe Uellsit, duke paralajmëruar ndikime serioze për sistemin shëndetësor, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Temperaturat e larta kanë shkaktuar gjithashtu probleme në infrastrukturë, me ndërprerje të linjave hekurudhore në jug të Anglisë për shkak të deformimeve të shkaktuara nga nxehtësia.
Në Holandë, autoritetet kanë pezulluar përkohësisht disa stërvitje ushtarake në rajonin e Gelderland, pas rritjes së rrezikut për zjarre në pyje. Vendimi u mor pasi gjatë ushtrimeve ushtarake u regjistruan disa vatra zjarri në zona të thata.
Ekspertët e klimës e lidhin këtë fenomen me ndryshimet klimatike globale, duke paralajmëruar se valët ekstreme të të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në Europë.
Ndërkohë, shërbimet shëndetësore në disa vende europiane kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut, konsumimin e lëngjeve dhe mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara të popullsisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






