

Me nisjen e pelegrinazhit në vendin e shenjtë të Mekës, rikthehet në vëmendje edhe historia e gjatë dhe shpesh pak e dokumentuar e pranisë së shqiptarëve, të njohur në burimet osmane si “arnautë”, në këtë hapësirë të shenjtë të botës islame.
Prania e shqiptarëve në Mekë nuk ka një datim të saktë historik, kryesisht për shkak të mungesës së burimeve të shkruara nga vetë shqiptarët në periudhat e hershme. Megjithatë, përmes dokumenteve osmane dhe dëshmive të udhëtarëve e artistëve të huaj, gjurmët e tyre shfaqen në mënyrë të vazhdueshme në administrimin dhe sigurinë e karvanëve të pelegrinëve.
Me zgjerimin e ndikimit të Perandorisë Osmane në Gadishullin Arabik dhe marrjen nën mbrojtje të Mekës dhe Medinës, siguria e rrugëve të haxhit u kthye në një prioritet strategjik për Stambollin. Karvanët e pelegrinëve shpesh përballeshin me sulme nga fiset beduine, çka e bënte mbrojtjen e tyre një detyrë të rrezikshme dhe të rëndësishme.
Në këtë kontekst, osmanët krijuan strukturën e posaçme të “Amir al-Hajj”, përgjegjëse për organizimin dhe sigurinë e pelegrinazhit vjetor. Pikërisht në këto struktura, sipas burimeve historike, arnautët fituan një rol të spikatur si ushtarë dhe shoqërues të karvanëve, të njohur për disiplinën dhe aftësitë e tyre luftarake.
Në disa raste historike përmendet edhe emri i Abdullah Pashë Qypriliut në fillim të shekullit XVIII, pjesëtar i dinastisë së njohur shqiptare të Qyprilinjve, si një nga figurat e lidhura me administrimin e këtij sistemi.
Më vonë, gjatë periudhës së Mehmet Ali Pashës në Egjipt, roli i shqiptarëve në administratë dhe në strukturat ushtarake u bë edhe më i dukshëm, duke u pasqyruar edhe në artin e kohës përmes pikturave orientale që përshkruanin “arnautët” si pjesë të jetës publike në Egjipt dhe Levant.
Një dëshmi e veçantë për praninë e tyre në Mekë vjen nga eksploratori britanik Sir Richard Francis Burton, i cili në shekullin XIX udhëtoi i maskuar si pelegrin dhe arriti të hyjë në qytetin e shenjtë, duke përshkruar nga afër jetën e karvanëve dhe përbërjen e tyre.
Në veprën e tij të njohur Personal Narrative of a Pilgrimage to Al-Madinah and Meccah, Burton përmend ndikimin e madh të shqiptarëve në administratën egjiptiane dhe në organizimin e karvanëve të haxhit, duke i identifikuar ata si një element të rëndësishëm të rendit dhe sigurisë së pelegrinazhit.
Sipas rrëfimeve të tij, në Mekë ai ka hasur edhe familje arnautësh të ardhura nga Kajro, duke sjellë një panoramë të një komuniteti të shpërndarë shqiptarësh që kishin ruajtur lidhje të forta me botën osmane dhe strukturat e saj.
Këto dëshmi, të ndërthurura mes historisë dhe udhëpërshkrimeve, tregojnë se prania e shqiptarëve në Mekë nuk ka qenë thjesht episodike, por pjesë e një rrjeti më të gjerë ushtarak, administrativ dhe kulturor brenda Perandorisë Osmane, që shtrihej nga Ballkani deri në zemër të botës arabe.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





