

Çështja “Titi”: Zbulime të reja për aktivitetin dhe të kaluarën e të shumëkërkuarit – Katër identitetet dhe çanta me armë
“Titi”, i cili u arrestua në Mikrolimano të Greqisë të shtunën (23 maj), dyshohet se është i përfshirë edhe në raste përdhunimi.
Kështu, detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me aktivitetin kriminal të “Titit”, të shumëkërkuarit të rrezikshëm që u arrestua së fundmi në Mikrolimano, ndërsa kishte me vete një arsenal të tërë armësh.
Sipas Live News në Mega Channel që citon noa.al, 42-vjeçari Alessio Xhelo kishte përdorur katër identitete të ndryshme, me emra dhe mosha të ndryshme. Ai ishte dënuar për vrasje, narkotikë, vjedhje, grabitje dhe sulme me armë ndaj policisë, ndërsa pavarësisht të kaluarës së rëndë kriminale, lëvizte i lirë.
Në TV Mega, u dha dhe kjo dëshmi: “Ishte mëngjes. Hynë brenda dhe thanë thjesht: ‘Paratë’. U thamë: ‘Çfarë parash? Sapo jemi hapur’. Në arkë kishte para për të paguar furnitorët. I morën pa asnjë hezitim. Morën edhe makinën e një klienti”, tregoi një viktimë e një grabitjeje të vitit 2012, duke përshkruar brutalitetin e grupit.
Gjatë arrestimit në Mikrolimano, “Titi” kishte me vete gjashtë granata dore dhe tre pistoleta, të fshehura me kujdes në çanta të vogla. Në të kaluarën, ai kishte vrarë një burrë, makinën e të cilit kishte tentuar ta vidhte, në kohën kur lëvizte i armatosur me kallashnikov të fshehur në një kuti kitare.
Dëshmia tjetër është plot dënesë, pasi shpreh habi që pas një vrasjeje, i akuzuari të dalë si turist nëpër Greqi:
“Familja mbeti në shok kur mori vesh se personi që u kishte vrarë njeriun e tyre po lëvizte si turist në Athinë me një çantë plot armë. Në gjyq, këta persona talleshin dhe ironizonin edhe familjarët e viktimës që dëshmonin. Vëllai i viktimës, i cili atëherë ishte plagosur rëndë, edhe sot ka vështirësi në jetën e tij”, tha një person pranë familjes së viktimës.
Shumë vepra penale dhe dënime
Me të njëjtën armë, ai kishte qëlluar edhe ndaj policëve, ndërsa në një rast tjetër kishte mbajtur peng një efektive policie gjatë transferimit të të burgosurve. Autoritetet po hetojnë nëse është i përfshirë edhe në sulme të tjera të armatosura.
“Hynë në një dyqan 33 metra katrorë. Njëri shkoi te kasa, njëri ruante te dera, një tjetër jashtë, një tjetër boshatiste dyqanin dhe një tjetër priste në makinë. Për katër minuta mbaj mend vetëm armën përballë fytyrës sime. Kanë grabitur mbi 100 dyqane. Këta njerëz kanë përdhunuar, kanë grabitur, kanë vrarë dhe sërish dalin nga burgu”, deklaroi një tjetër viktimë.
Dënimi për përdhunim
Live News zbuloi gjithashtu se 42-vjeçari ishte dënuar për një përdhunim të kryer më 2 mars 2003 në Aspropyrgos të Atikës. Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ai kishte ndaluar një grua që po ecte në rrugë dhe, duke ushtruar dhunë fizike, e kishin detyruar të hipte në automjet.
Më pas e kishin çuar në një shtëpi të braktisur në një zonë të izoluar, ku e kishin përdhunuar.
Pas kësaj, e kishin futur sërish në makinë dhe e kishin lënë në një rrugë të izoluar, duke e kërcënuar me jetë.
Pavarësisht rëndësisë së këtyre krimeve dhe dënimeve të shumta, “Titi” kishte mbetur i lirë.
“Këta njerëz janë arrestuar tri herë. Shteti i nxjerr jashtë në një mënyrë të pakuptueshme. Na çojnë ne nëpër gjykata, humbasim para, humbasim qetësinë, humbasim gjumin dhe në fund na thonë se nëse nuk paraqitesh në gjyq, merr edhe gjobë”, tha një viktimë e revoltuar, duke shprehur zemërimin e shumë qytetarëve për mungesën e ndëshkimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






