

Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me profilin e të shumëkërkuarit të njohur me nofkën “Titi”, i cili mbeti i plagosur në Mikrolimano të shtunën, pasi gjatë një kontrolli policor kërcënoi efektivët, duke i detyruar ata të hapnin zjarr.
Alessio Xhelo, i njohur nga akuzat për aktivitetin e tij të dhunshëm kriminal, konsiderohej nga autoritetet si jashtëzakonisht i rrezikshëm.
42-vjeçari, i cili ishte arratisur nga burgjet e Shqipërisë, po kërkonte mënyrë për t’u rikthyer në Greqi. Sipas informacioneve, një nga qëllimet e tij ishte edhe marrja e fëmijëve nga bashkëshortja.
Sipas të njëjtave burime, ishte vetë bashkëshortja ajo që njoftoi autoritetet për planin e tij për t’u kthyer në Greqi, çka vuri menjëherë në lëvizje policinë greke.
Sipas informacioneve të transmetuara nga media greke SKAI që citon noa.al, gruaja kishte marrë dy mesazhe kërcënuese nga 42-vjeçari. Në njërin prej tyre shkruhej: “Po vij në Greqi të të vras dhe do të të hedh në erë”, duke zbuluar qartë synimet e tij.
Kujtohet se në posedim të 42-vjeçarit janë gjetur armë dhe granata dore, të cilat po analizohen nga autoritetet.
Dëshmitë e policëve për përplasjen
Sipas materialeve filmike që kanë në dispozicion autoritetet, 42-vjeçari nuk ndodhej i vetëm në lokalin e Mikrolimanos. Me të ishin edhe dy gra, të cilat u shoqëruan nga policia, si dhe një burrë tjetër, i cili është identifikuar dhe po kërkohet për të verifikuar lidhjet e mundshme me të dyshuarin.
Policët kanë përshkruar me detaje sekondat dramatike të përplasjes në dëshmitë e tyre, duke folur për një situatë të papritur dhe shumë të rrezikshme. Sipas tyre, i dyshuari u kthye papritur drejt tyre dhe ngriti armën, duke i detyruar të hidhen në tokë për t’u mbrojtur.
“Po e ndiqnim në këmbë. Ai ecte shpejt në trotuar dhe në anën e majtë kishte makina të parkuara. Sapo mbaruan makinat, e pamë që u kthye papritur dhe ngriti armën drejt nesh për të qëlluar. Unë dhe kolegu im arritëm të hidhemi në tokë, ndërsa dëgjuam të shtënat nga dy kolegët e tjerë, të cilët fatmirësisht kishin arritur të pozicionoheshin në anën tjetër dhe e panë momentin kur ai drejtoi armën drejt nesh për të na vrarë”, deklaroi një prej policëve.
E kaluara kriminale e “Titit”
42-vjeçari ishte i njohur prej vitesh për autoritetet. Në dhjetor të vitit 1995, në moshën vetëm 12-vjeçare, ai u arrestua për herë të parë. Më pas pasuan arrestime të tjera, në korrik 1997 për grabitje dhe në mars 2002 për çështje narkotikësh.
Në qershor të vitit 2012, gjatë vjedhjes së një automjeti në Kaisariani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vrau me gjakftohtësi një burrë.
Në vitin 2015 u arrestua në Francë në bazë të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga Greqia, ndërsa në qershor të vitit 2019 u bë protagonist i një arratisjeje spektakolare nga qendra e transferimit të të burgosurve në Petrou Ralli.
Në të kaluarën, gjatë grabitjeve dhe sulmeve, ai nuk kishte hezituar të kërcënonte edhe me granata dore.
Që prej të shtunës, 42-vjeçari ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë në spitalin “Attikon”, nën ruajtje të vazhdueshme policore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






