

Roli që luajti bashkëshortja e “Titit”. Vijon të kërkohet personi që ishte me të në orët e para të mëngjesit të së martës së kaluar
Detaje të reja kanë dalë në dritë për 42-vjeçarin shqiptar Alesio Xhelo me nofkën “Titi”, i cili ndodhet i shtruar në spital nën ruajtje policore pasi mbeti i plagosur nga të shtënat e policisë në zonën e Mikrolimanos në Greqi.
Incidenti i përgjakshëm ndodhi në orët e para të së martës dhe ka vënë në lëvizje intensivisht autoritetet greke. Sipas informacioneve, rreth një muaj para ngjarjes, autoritetet greke ishin vënë në alarm pas një denoncimi të bërë nga bashkëshortja e 42-vjeçarit. Ajo kishte raportuar se bashkëshorti e kishte telefonuar, e kishte kërcënuar dhe i kishte thënë se së shpejti do të kthehej në Greqi.
Pas këtij denoncimi, policia dyshonte se i arratisuri ose do të tentonte të hynte ilegalisht në vend, ose ndodhej tashmë në zona që i njihte mirë. Një prej këtyre zonave ishte edhe Qyteti Universitar, i cili ishte vënë nën monitorim nga autoritetet për shkak të dyshimeve për praninë e tij.
Pavarësisht alarmit të shtuar nga policia greke, 42-vjeçari me të kaluar të rëndë kriminale arriti të kalonte kufirin dhe, sipas dyshimeve, po përgatitej të vazhdonte aktivitetin e tij kriminal.
Dëshmitë e policëve për përplasjen
Sipas pamjeve filmike që kanë në dispozicion autoritetet, 42-vjeçari nuk ishte i vetëm në lokalin e Mikrolimanos. Me të ndodheshin dy gra, të cilat janë shoqëruar nga policia, si dhe një burrë tjetër, i cili është identifikuar dhe po kërkohet për të verifikuar nëse kishte lidhje me të shumëkërkuarin.
Policët kanë përshkruar me detaje momentet dramatike të përplasjes në dëshmitë e tyre, duke e cilësuar situatën si të papritur dhe jashtëzakonisht të rrezikshme. Sipas tyre, i dyshuari u kthye papritur drejt tyre dhe ngriti armën, duke i detyruar të hidhen në tokë për t’u mbrojtur.
“Po e ndiqnim në këmbë. Ai ecte shpejt mbi trotuar dhe në anën e majtë kishte makina të parkuara. Sapo mbaruan makinat, e pamë që u kthye papritur dhe ngriti armën drejt nesh për të qëlluar. Unë dhe kolegu im arritëm të hidhemi në tokë, ndërsa dëgjuam të shtënën nga dy kolegët e tjerë, të cilët fatmirësisht kishin arritur të pozicionoheshin në anën tjetër të rrugës dhe e panë momentin kur ai drejtoi armën drejt nesh për të na vrarë”, ka deklaruar një prej policëve.
E kaluara kriminale e “Titit”
42-vjeçari ka qenë prej vitesh i njohur për autoritetet. Në dhjetor të vitit 1995, në moshën vetëm 12-vjeçare, ai u arrestua për herë të parë. Më pas pasuan arrestime të tjera, në korrik 1997 për grabitje dhe në mars 2002 për një çështje narkotikësh.
Në qershor të vitit 2012, gjatë vjedhjes së një automjeti në Kaisariani së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ai vrau me gjakftohtësi një burrë.
Në vitin 2015 u arrestua në Francë në bazë të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga Greqia, ndërsa në qershor 2019 u bë protagonist i një arratisjeje spektakolare nga qendra e transferimit të të burgosurve në Petrou Ralli.
Fakti që i shumëkërkuari mbante me vete një arsenal të vogël armësh forcon dyshimet se ai po përgatitej për një tjetër sulm të armatosur. Në të kaluarën, gjatë grabitjeve dhe sulmeve, ai nuk kishte hezituar të kërcënonte edhe me granata dore, gjë që ka shtuar shqetësimin e autoriteteve për lëvizjet e mundshme të rrjetit të tij kriminal. /ta nea – përktheu noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






