Transmetuar më 26-05-2026, 14:10

Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në Belgjikë, ku një tren është përplasur me një autobus shkolle, duke shkaktuar vdekjen e katër personave, mes tyre edhe dy fëmijë.

Sipas mediave belge, ngjarja ndodhi pranë zonës së Buggenhout, në momentin kur treni po i afrohej stacionit dhe kishte nisur frenimin. Raportohet se në orën 08:08 autobusi hyri në kalimin hekurudhor, ndërkohë që barrierat e sigurisë ishin të mbyllura.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc të plotë për numrin e të plagosurve, ndërsa rreth 100 pasagjerë të trenit janë evakuuar dhe po marrin ndihmë nga ekipet e emergjencës.

Në autobusin shkollor ndodheshin shtatë nxënës, shoferi dhe një shoqërues.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe Bernard Quintin, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Me hidhërim të madh mësova për aksidentin tragjik në Buggenhout, ku një autobus shkolle u godit nga një tren. Mendimet e mia janë me viktimat dhe të dashurit e tyre. U uroj forcë të plagosurve dhe falënderoj shërbimet e emergjencës për ndërhyrjen e tyre të menjëhershme”, deklaroi ai.

Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit