

PRISHTINË – Kryetari i Fatmir Limaj ka deklaruar se NISMA Socialdemokrate do të mbështesë Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza, në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë.
Deklarata u bë pas një takimi mes Limajt dhe Hamzës në selinë e NISMA Socialdemokrate, ku palët njoftuan nisjen e një bashkëpunimi strategjik politik dhe elektoral.
Sipas Limajt, marrëveshja synon ndërtimin e një partneriteti afatgjatë mes dy forcave politike, me fokus stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
“Është koha që forcat politike që ndajnë të njëjtat vlera shtetformuese të bashkëpunojnë për interesin e Kosovës”, u shpreh Limaj.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes NISMËS dhe PDK-së mbështetet në orientimin euroatlantik, partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe respektin për luftën çlirimtare të Kosovës.
Në deklaratën e tij, Limaj përmendi gjithashtu mbështetjen për ish-pjesëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po përballen me procese në Gjykatën Speciale në Hagë, duke i cilësuar ata si mbrojtës të luftës çlirimtare dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Nga ana tjetër, Bedri Hamza nuk ka bërë ende publike detaje shtesë mbi marrëveshjen, por bashkëpunimi shihet si një zhvillim i rëndësishëm në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë.
Postimi i plotë:
Sot prita në takim në selinë e NISMA Socialdemokrate kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës z. Bedri Hamza.
Në një periudhë jo të lehtë për vendin, kur qytetarët me të drejtë presin më shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga politika, besoj se është koha që forcat politike që ndajnë të njëjtat vlera shtetformuese të bashkëpunojnë për interesin e Kosovës.
Pas bisedimeve tona, kemi arritur pajtim për të nisur një bashkëpunim strategjik politik, elektoral, qeverisës dhe organizativ ndërmjet NISMA Socialdemokrate dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë frymë, NISMA Socialdemokrate do ta mbështesë PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër z. Bedri Hamza, në këto zgjedhje.
Gjithashtu, jemi dakorduar që në periudhën në vazhdim të ndërtojmë një proces të koordinuar bashkëpunimi dhe integrimi politik, me synimin që ky partneritet afatgjatë t’i shërbejë stabilitetit institucional, zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit dhe funksionimit më efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ky bashkëpunim mbështetet në vlerat që na kanë bashkuar gjithmonë: përgjegjësinë ndaj shtetit, orientimin euroatlantik, partneritetin e përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektin për luftën çlirimtare dhe rolin historik të UÇK-së në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Mbështetja për këtë bashkëpunim është edhe mbështetje për vlerat e luftës çlirimtare, për idealin e UÇK-së dhe për bashkëluftëtarët tanë që sot padrejtësisht po përballen me Gjykatën Speciale në Hagë, duke mbrojtur me dinjitet, krenari dhe vendosmëri luftën e drejtë të popullit tonë për liri.
Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, maturi dhe njerëz që interesin e qytetarëve dhe të shtetit e vendosin mbi çdo interes tjetër.
Besoj se ky është një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të forcave politike që ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e Kosovës dhe për ndërtimin e një qeverisjeje stabile, funksionale dhe me vizion
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





