Transmetuar më 25-05-2026, 22:16

TIRANË – Ministria e Mbrojtjes së Greqisë ka reaguar zyrtarisht pas vizitës së ministrit Nikos Dendias në Tiranë, ku ai zhvilloi takime me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Shqiptare Joan Pelushi.

Në njoftimin zyrtar, pala greke thekson se bisedimet janë fokusuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin brenda NATO-s dhe zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.

Ministria greke bën të ditur gjithashtu se është rënë dakord që ministri shqiptar i Mbrojtjes të zhvillojë një vizitë në Athinë në fund të muajit të ardhshëm, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Një nga pikat e diskutuara ka qenë edhe siguria kibernetike, ku sipas palës greke, Shqipëria mund të ndajë përvojën e saj lidhur me sulmet kibernetike të regjistruara në muajt e fundit, si pjesë e shkëmbimit të ekspertizës mes dy vendeve.

Gjatë vizitës në Tiranë, Dendias u prit fillimisht në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u zhvilluan takime dypalëshe dhe më pas të zgjeruara me delegacionet përkatëse. Më pas, ai u takua edhe me kryeministrin Rama, ku u diskutua situata gjeopolitike në rajon.

Ministri grek vizitoi gjithashtu Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku u prit nga Kryepeshkopi Joan Pelushi, si dhe u ndal në kriptën ku prehet Kryepeshkopi i ndjerë Anastas.

Në deklaratën e tij pas vizitës, Dendias vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë në kuadër të NATO-s dhe procesit të integrimit europian, duke theksuar nevojën për një qasje të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit