Transmetuar më 24-05-2026, 20:53

Caleb Shomo, këngëtari dhe frontmeni i grupit rock Beartooth, ka bërë publik një rrëfim personal, duke deklaruar se është homoseksual, pas përfundimit të martesës së tij prej afro 14 vitesh me bashkëshorten Fleur Shomo.

33-vjeçari reagoi pas spekulimeve të shumta mbi jetën e tij private, të cilat u shtuan pas publikimit të këngës së tij “Free” në muajin shkurt. Në videoklipin e këngës, artisti u shfaq me një stil më ndryshe, me elementë vizualë më fluidë në paraqitje, gjë që solli reagime të shumta në rrjet.

Në një deklaratë të gjatë të publikuar në Instagram, Caleb Shomo foli hapur për përballjen e gjatë me identitetin e tij seksual.

“Ka pasur shumë spekulime për jetën time personale kohët e fundit dhe ndjej se duhet të sqaroj situatën para se kjo të ndikojë më tej te njerëzit që dua. Jam një burrë homoseksual dhe e them këtë me krenari,” shkroi ai.

Artisti tregoi se për vite me radhë ka luftuar me ndjenjat e tij, duke pranuar se për një periudhë të gjatë kishte tentuar t’i shtypte emocionet përmes alkoolit.

Ai shpjegoi se vendimi për të lënë pas këtë periudhë dhe për të përballur veten e ndihmoi të kuptonte më mirë identitetin e tij dhe të niste rrugën drejt pranimit të vetes.

Shomo theksoi se albumi i ri dhe muzika që po krijon përfaqësojnë një kapitull të ri në jetën e tij, ku synon të jetë plotësisht i sinqertë me veten dhe publikun.

“Vendosa që të mos fsheh më asgjë. Dua të shpreh veten ashtu siç jam, pa kufizime, si në muzikë, ashtu edhe në mënyrën se si paraqitem,” u shpreh ai.

Pak pas deklaratës së tij reagoi edhe ish-bashkëshortja Fleur Shomo, e cila publikoi një mesazh emocional ku pranoi se muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe emocionalisht të lodhshëm për të.

Ajo tha se ka qenë sfiduese ta mbështeste partnerin e saj gjatë kësaj periudhe, ndërsa njëkohësisht përjetonte humbjen e martesës së tyre.

“Askush nuk mund ta dijë se çfarë kemi kaluar ne si çift. Historia jonë ishte e bukur, por tani ka marrë fund,” shkroi ajo.

Caleb Shomo njihet si frontmeni i Beartooth që prej vitit 2012 dhe është një figurë e njohur në skenën rock amerikane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit