

Në Maqedoninë e Veriut është konfirmuar rasti i parë i infektimit me ethet e Nilit Perëndimor për vitin 2026. Pacienti është një 55-vjeçar nga Velesi, i cili u shtrua në Klinikën për Sëmundje Infektive pasi shfaqi temperaturë të lartë, lodhje, skuqje dhe çrregullime të vetëdijes. Analizat laboratorike konfirmuan praninë e virusit “West Nile”.
Sipas autoriteteve shëndetësore, pacienti po mbahet nën kujdes mjekësor dhe ndodhet në gjendje më të mirë. Infektimi dyshohet të ketë ndodhur në vend, pasi i riu nuk ka udhëtuar jashtë dhe nuk ka pasur kontakt me persona të tjerë të prekur.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen nga mushkonjat e infektuara, kryesisht të llojeve Culex dhe Aedes. Shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, por në disa raste mund të paraqiten temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh dhe skuqje. Në raste më të rralla, sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze neurologjike.
Qytetarëve u rekomandohet përdorimi i mjeteve mbrojtëse kundër mushkonjave, veshje që mbulojnë trupin, vendosja e rrjetave në dritare dhe shmangia e qëndrimit jashtë në orët e agimit dhe të mbrëmjes. Familjeve u bëhet apel të largojnë ujin e ndenjur nga ambientet e jashtme për të parandaluar shumimin e mushkonjave. Në rast shfaqjeje simptomash pas pickimit, këshillohet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





