

PRISHTINË – Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka miratuar "Pakon për përballje me inflacionin 2.0". Përmes këtij programi, ekzekutivi ka vendosur të ndajë një mbështetje financiare të njëhershme prej 100 eurosh për disa nga kategoritë kryesore shoqërore në vend.
Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga Kryeministri Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë, përfitues të kësaj ndihme direkte do të jenë pensionistët, fëmijët, studentët aktivë, si dhe punëtorët e sektorit privat. Ndërsa fondet për pensionistët dhe fëmijët do të jepen automatikisht duke filluar nga java e ardhshme, studentët dhe punëtorët e sektorit jopublik do të duhet t’i nënshtrohen një procedure aplikimi.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi kriteret e përfitimit, duke specifikuar se mbështetja për pensionistët do të bazohet në listat e pagesave të muajit maj, kurse për fëmijët në skemën ekzistuese të shtesave. Për sa i përket sektorit privat, ndihma do të shkojë për të gjithë të punësuarit e deklaruar në muajin prill, të ardhurat mujore të të cilëve janë më pak se 1,000 euro dhe që nuk paguhen nga buxheti i shtetit.
Paralelisht me këtë masë, qeveria ka vendosur të rrisë ndjeshëm edhe shtesat mujore për nënat lehona, duke i çuar ato në 500 euro në muaj, nga 325 euro që ishin deri më tani.
Kryeministri Kurti e argumentoi këtë vendim me rritjen e pagës minimale në vend, e cila nga 1 korriku do të arrijë në 500 euro. "Në maj të vitit të kaluar i rritëm në 325 euro. Sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, andaj edhe në këtë maj po i rrisim shtesat për lehona në 500 euro në muaj", deklaroi Kurti, duke vënë theksin te progresi i bërë në krahasim me politikat sociale të qeverisjeve të kaluara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





