

SHKUP – Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e katër personave ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Maqedoninë e Veriut, në aksin rrugor Radishan-Prishtinë-Mirkovcë. Ngjarja e rëndë ka vënë në lëvizje autoritetet vendase dhe ekipet e emergjencës.
Sipas të dhënave të para, një automjet i tipit BMW është përplasur fuqishëm me një kamion me targa të Kosovës. Si pasojë e goditjes së fortë, makina është përfshirë menjëherë nga flakët, duke bërë që katër pasagjerët që udhëtonin në të të digjeshin brenda mjetit, pa pasur mundësi shpëtimi.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, prokuroria dhe ekipet e mjekësisë ligjore, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Deri më tani, autoritetet zyrtare nuk kanë bërë ende të ditur identitetin e viktimave, për shkak të dëmtimeve të mëdha që ka pësuar trupi i tyre nga zjarri.
Burime nga terreni dhe mediat vendase bëjnë me dije se nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se automjeti BMW drejtohej nga një grua. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të kësaj tragjedie rrugore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





