Transmetuar më 21-05-2026, 18:17

Tiranë – Shqipëria po rrit në mënyrë të ndjeshme varësinë nga mishi i importuar, ndërsa prodhimi vendas po tkurret dhe sektori blegtoral humbet gradualisht kapacitetet prodhuese. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë muajit prill 2026, importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme arritën në rreth 894 milionë lekë, niveli i dytë më i lartë historik i regjistruar për një muaj në 20 vite. Rekordi mbetet korriku i vitit 2025, kur importet arritën rreth 950 milionë lekë.

Rritja e importeve nuk ka të bëjë vetëm me çmimet, por edhe me sasitë e sjella nga jashtë. Në prill, pesha e mishit të importuar kaloi 5 milionë kilogramë, niveli më i lartë i viteve të fundit. Çmimi mesatar për kilogram mish të importuar arriti në rreth 178.6 lekë, nga 153.4 lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Analistët e tregut shprehin se kjo tregon një ndryshim të thellë në strukturën e furnizimit, me tregun vendas që mbështetet gjithnjë e më shumë te importi për të përmbushur kërkesën e brendshme.

Paralelisht, prodhimi vendas po ndjek një trend të kundërt. Në vitin 2024, prodhimi total i mishit ra në rreth 130 mijë tonë, niveli më i ulët në dy dekadat e fundit. Krahasuar me kulmin prej mbi 161 mijë tonësh në vitin 2018, prodhimi vendas ka rënë për më shumë se 31 mijë tonë, ose rreth 19%. Tkurrja lidhet me reduktimin e numrit të bagëtive, kostot më të larta të fermave, emigrimin nga zonat rurale dhe vështirësitë për të mbajtur aktivitetin blegtoral fitimprurës.

Sa i përket furnizuesve, Brazili rezulton të jetë kryefurnizuesi me rreth 45% të totalit të importeve për këtë kategori produktesh. Pas tij renditen Shtetet e Bashkuara me 12.5%, Italia me 8.2%, Greqia me 8%, dhe Paraguai me 6.3%. Pjesa tjetër e tregut ndahet mes vendeve të tjera, si Serbia, Spanja, Holanda dhe Maqedonia e Veriut, me pjesëmarrje më të vogla.

Ekspertët paralajmërojnë se varësia në rritje nga importi dhe vështirësitë e prodhimit vendas mund të ndikojnë në stabilitetin e çmimeve dhe sigurinë ushqimore në vend, veçanërisht në një periudhë kur Bashkimi Evropian ka vendosur disa kufizime dhe bllokime për importet nga Brazili.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit