

TIRANË – Mozaiku i Tiranës po kthehet në një nga atraksionet më të vizituara kulturore në kryeqytet, duke tërhequr interesin e turistëve vendas dhe të huaj për historinë mbi 1800-vjeçare që mbart.
Institucionet kulturore e konsiderojnë tashmë sitin si një destinacion të rëndësishëm edukativ dhe turistik, veçanërisht pas restaurimit dhe rikonstruksionit të plotë të realizuar së fundmi.
Drejtori i DRTK Tiranë, Kostandin Budurushi, deklaroi se vizitorët surprizohen nga fakti që në zemër të Tiranës ndodhet një sit arkeologjik i periudhës romake.
Sipas tij, restaurimi modern dhe ndërthurja e trashëgimisë antike me hapësirën bashkëkohore muzeore kanë ndikuar në rritjen e interesit për këtë monument kulture.
Budurushi bëri të ditur se vizitueshmëria është rritur me rreth 40% krahasuar me vitet e mëparshme. Aktualisht, Mozaiku i Tiranës frekuentohet nga rreth 15 deri në 20 turistë në ditë, kryesisht nga Europa dhe SHBA.
Objekti vizitohet nga grupe turistike, nxënës, studentë dhe vizitorë individualë që kërkojnë të njihen me trashëgiminë historike të kryeqytetit.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, DRTK Tiranë organizoi aktivitete edukative me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave Faik Konica, Vasil Shanto dhe Edith Durham. Fëmijët morën pjesë në guida kulturore dhe aktivitete interaktive si “Arkeologu i vogël”.
Sipas drejtuesve të trashëgimisë kulturore, synimi është që siti të shndërrohet edhe në një qendër edukative dhe inovacioni për fëmijët përmes ekspozitave, guidave dhe aktiviteteve kulturore.
Mozaiku i Tiranës është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe i përket një vile romake të shekullit III pas Krishtit. Ai u zbulua në vitin 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në zonën e ish-bllokut “Partizani”.
Restaurimi i fundit i sitit përfundoi një vit më parë dhe përfshin gjithashtu një platformë ekspozuese për mozaikë të periudhës antike dhe antikitetit të vonë nga site të rëndësishme arkeologjike shqiptare si Apolonia, Butrinti, Bylisi, Durrës dhe Elbasan.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





