

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, sot ka nisur zyrtarisht procesi i votimit me postë për mërgatën. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ky proces përfshin rreth 105 mijë shtetas jashtë vendit, të cilët kanë të drejtë të votojnë deri më datë 6 qershor.
KQZ-ja ka konfirmuar se të gjitha pakot me fletëvotime janë përgatitur dhe kanë nisur të shpërndahen nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Deri të mërkurën janë bërë gati 75 mijë pako individuale, shpërndarja e të cilave nis sot, ndërsa rreth 30 mijë pako të tjera dërgohen gjatë ditës së enjte në aeroport për t’u nisur drejt destinacioneve jashtë vendit.
Për të garantuar transparencë dhe siguri, çdo dërgesë është e pajisur me një numër unik gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve përmes postës elektronike. Në këtë mënyrë, secili votues mund të ndjekë lëvizjen e pakos së tij. KQZ-ja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve jashtë vendit që të mos e lënë për ditët e fundit postimin e zarfeve me votë, me qëllim që të shmangen vonesat e mundshme postare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





