Transmetuar më 20-05-2026, 23:40

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, foli në emisionin “Oponencë” në News24, duke diskutuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për raportet personale dhe politike me kryeministrin Edi Rama.

Haradinaj theksoi se mes dy kryeqyteteve shqiptare duhet të ekzistojnë kanale komunikimi konfidenciale, që nuk duhet të kalojnë përmes ndërmjetësve apo analistëve:

“Prishtina dhe Tirana duhet të kenë kanale komunikimi konfidenciale. Ato nuk duhet të bëhen përmes sekserëve apo atyre që bëjnë analiza”, u shpreh ai.

Duke folur për marrëdhëniet politike ndër vite, Haradinaj tha se shqiptarët kanë të drejtë të diskutojnë dhe kontribuojnë në çështjet e përbashkëta kombëtare:

“Nuk është keq të bësh liderin e shqiptarëve, cilido prej nesh, sepse secili shqiptar ka të drejtë të flasë për çështjet tona”, deklaroi ai.

Ish-kryeministri u ndal edhe te periudhat e përplasjeve me kryeministrin Rama, duke i lidhur ato me sfida strategjike për Kosovën, përfshirë sovranitetin dhe vendosjen e taksës ndaj Serbisë:

“Taksa ka qenë sovranitet. Nëse do ta hiqja, do të dëshmoja një paaftësi të Kosovës për të mbajtur territorin dhe tregun e saj”, tha Haradinaj.

Ai përmendi gjithashtu çështjen e Gjykatës Speciale dhe procesin e dialogut me Serbinë, duke theksuar presionet politike dhe ndërkombëtare gjatë asaj periudhe. Haradinaj sqaroi se përplasjet nuk ishin personale:

“Nuk ka pasur të bëjë vetëm me Ramën, por me pozicionin që kam marrë për të mbrojtur interesin kombëtar”, tha ai.

Sipas Haradinajt, duhet bërë dallim mes politikës së përditshme dhe çështjeve kombëtare, të cilat nuk duhet të ndikohen nga ndryshimet e qeverive apo liderëve politikë:

“Duhet të kemi dy liga: një për çështjet qeverisëse dhe një ligë nacionale, ku të gjithë vendimmarrësit mbrojnë interesin kombëtar”, u shpreh ai.

Haradinaj vlerësoi përmirësimet e Shqipërisë në fushën e sigurisë, duke e cilësuar vendin si një partner të besueshëm ndërkombëtar. Ai shtoi se ka pasur marrëdhënie të mira edhe me figura të tjera politike shqiptare, përfshirë Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit