

Analisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Top Story’ nga Grida Duma, komentoi lëvizjen studentore për gjuhën shqipe në Shkup dhe rolin e ambasadorit të Shqipërisë në këtë proces.
Mehmeti theksoi se tërheqja e ambasadorit Denion Meidani do të ishte turp për Tiranën dhe do të dobësonte zërin studentor, duke i dhënë energji dhe motiv grupeve anti-shqiptare.
“Ky është zëri i munguar i shqiptarisë. Shqiptaria duhet të flasë përmes vrullit rinor. Tirana ka qenë inferiore në këto çështje deri para ardhjes së këtij ambasadori, duke dërguar më parë vetëm ambasadorë teknikë, që merren me partitë shqiptare dhe jo me shqiptarët,” tha Mehmeti.
Ai kujtoi se përfaqësuesit e mëparshëm shpallnin tradhtarë ata që kritikonin BDI-në dhe se kjo krijoi përshtypjen se shqiptarët janë një popull pa mëmëdhe. “Nëse Tirana nuk interesohet për shqiptarët, kujt duhet t’i interesojë? Nëse ndodh tërheqja e ambasadorit Meidani, do të jetë një krah i fortë për qarqet anti-shqiptare dhe do të shuajë zërin studentor,” paralajmëroi Mehmeti.
Ai kritikoi po ashtu politikën e Tiranës dhe Prishtinës, duke shtuar se ato duhet të masin ndikimin e tyre mbi shqiptarët në Luginën e Preshevës, në Maqedoni dhe Mal të Zi, dhe jo të mendojnë për pëlqimin e fqinjëve si Shkupi dhe Beogradi.
“Le të shpallim kryeqendrën e shqiptarisë Beogradin, nëse Maqedonia vazhdon të zbatojë politikën serbe ndaj shqiptarëve. Kur bëhet fjalë për shqiptarët, ajo ndjek interesat e Serbisë,” përfundoi Mehmeti.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





