

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka prezantuar masat e ndërmarra për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik veror, duke theksuar rritjen e fluksit të turistëve në vend.
Gjatë një konference për mediat, Lamallari deklaroi se strukturat e Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese kanë marrë masa të posaçme jo vetëm për sigurinë në territor, por edhe për krijimin e një imazhi pozitiv që në pikat e kalimit kufitar.
Sipas tij, gjatë periudhës 1 korrik–31 gusht 2026 do të ketë patrullime të dedikuara 12-orëshe në zonat turistike, me qëllim rritjen e pranisë policore dhe parandalimin e incidenteve.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se janë ngritur stacione provizore policore pranë zonave me fluks të lartë turistik, përfshirë Valbonën, Thethin, Komanin, Tales, Gjirin e Lalëzit dhe Ksamilin.
Ai u ndal edhe te masat për menaxhimin e trafikut dhe lehtësimin e procedurave në pikat e kalimit kufitar, duke theksuar shtimin e sporteleve për përpunimin e pasagjerëve në porte dhe aeroporte.
Lamallari tha se Shqipëria po avancon në përdorimin e teknologjive të reja në kontrollin kufitar, përmes sistemit e-Gate në aeroportin e Rinasit, ndërsa theksoi se një sistem i ngjashëm pritet të aplikohet edhe në portet e Durrësit dhe Sarandës për të përshpejtuar procedurat e hyrjes dhe daljes së qytetarëve dhe turistëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





