

Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në disa shkolla në rajonin e Mitrovicës dhe Skenderajt, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative në institucionet arsimore.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të ushtruara në një shkollë të mesme në Skenderaj, stafi i shkollës ka konstatuar tek dy nxënës mjete të rrezikshme. Njërit prej tyre iu gjet një thikë, ndërsa tek nxënësi tjetër u sekuestruan një pistoletë, 19 fishekë, një gëzhojë dhe një predhë arme të gjatë.
Policia bëri të ditur se të gjitha sendet e dyshuara janë konfiskuar, ndërsa dy nxënësit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë marrë në pyetje në prani të prindërve dhe mbrojtësve të tyre.
Pas njoftimit të prokurorit për të mitur, të rinjtë janë lënë të lirë në procedurë të rregullt. Ndërkohë, ndaj nxënësit tek i cili u gjet arma e zjarrit është iniciuar procedim për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Autoritetet policore theksuan se kontrolle të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen në shkolla të ndryshme të Kosovës, ndërsa u bënë apel nxënësve që të mos mbajnë armë apo mjete të rrezikshme, pasi përbëjnë rrezik serioz për sigurinë dhe bien ndesh me ligjin.
Më herët, gjatë javës së kaluar, policia kishte realizuar kontrolle edhe në tri shkolla të mesme në Mitrovicë, ku ishin kontrolluar rreth 460 nxënës, pa u konstatuar mjete të kundërligjshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





