

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka thyer heshtjen lidhur me zërat e shumtë që qarkullojnë në media për një shkarkim të mundshëm të ambasadorit shqiptar në Shkup, Denion Meidani. Ky debat lindi pasi diplomati u shpreh hapur në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë respektimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Përmes një deklarate zyrtare, zëdhënësi i MEPJ-së, Alteo Hysi, i ka cilësuar lajmet e përhapura si hamendësime të pabazuara, duke sqaruar se lëvizjet e diplomatëve ndjekin vetëm rrugë institucionale.
Reagimi i plotë i Zëdhënësit të MEPJ:
"Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.
Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.
Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla. Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme."
Përmes këtij qëndrimi, Ministria e Jashtme synon të shuajë polemikat mbi një ndëshkim të mundshëm politik të ambasadorit Meidani, duke insistuar se çdo vendim për trupën diplomatike bëhet mbi baza analizash profesionale dhe jo nën ndikimin e debateve publike apo qëndrimeve mediatike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





