Transmetuar më 19-05-2026, 20:19

Shkup – Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, ka reaguar pas protestave dhe debatit publik lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke i cilësuar këto përpjekje si presion politik dhe nxitje të tensioneve ndëretnike.

Në reagimin e tij, Filkov deklaroi se provimi i jurisprudencës është çështje profesionalizmi dhe respektimi të rendit juridik, e jo debat politik. Sipas tij, përpjekjet për ta paraqitur përdorimin e gjuhës maqedonase si diskriminim përbëjnë manipulim të opinionit publik dhe cenim të rendit kushtetues.

“Gjuha maqedonase është gjuha zyrtare në të gjithë territorin e vendit dhe themeli i sistemit institucional e juridik. Është e papranueshme që tema të ndjeshme të përdoren për përfitime politike apo për krijimin e tensioneve ndëretnike”, është shprehur Igor Filkov.

Ai theksoi se provimi i jurisprudencës zhvillohet vetëm në përputhje me ligjet dhe standardet profesionale në fuqi dhe jo nën ndikimin e protestave apo presioneve politike. Sipas ministrit, e drejta për protestë është demokratike, por nuk mund të përdoret për të ndryshuar kriteret e sistemit gjyqësor.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional, por nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit gjyqësor dhe as minimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, BDI reagoi ndaj qëndrimit të qeverisë dhe deklaratave të VMRO-DPMNE, duke akuzuar institucionet për përpjekje për të anashkaluar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Sipas BDI-së, ligji ekzistues e përcakton qartë detyrimin për harmonizimin e legjislacionit me përdorimin e gjuhëve dhe nuk ka nevojë për zgjidhje të reja ligjore.

“Çdo përpjekje për zgjidhje alternative jashtë nenit 23 përbën goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të Ligjit për Gjuhët dhe tentativë për zbatim selektiv të tij”, thuhet në reagimin e BDI.

Një ditë më parë, studentë shqiptarë protestuan në Shkup duke kërkuar mundësimin e zhvillimit të provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Me pankarta në duar, protestuesit marshuan nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Gjatë protestës pati përplasje me policinë dhe, sipas raportimeve, tre persona u arrestuan.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit