Transmetuar më 19-05-2026, 17:58

Specialistët e shëndetit dhe dermatologjisë paralajmërojnë qytetarët të tregojnë kujdes me përdorimin e kremrave kundër diellit, sidomos atyre të mbetur nga sezoni i kaluar, pasi me kalimin e kohës ato humbasin efektin mbrojtës.

Sipas ekspertëve, kremi kundër diellit zakonisht ka një afat përdorimi rreth tre vjet nga prodhimi, ndërsa pas hapjes mund të përdoret për një periudhë 12 deri në 24 muaj, në varësi të llojit të produktit dhe kushteve të ruajtjes.

Ata theksojnë se pas kësaj periudhe përbërësit aktivë degradohen dhe produkti nuk ofron më mbrojtjen e duhur ndaj rrezeve ultraviolet (UV), duke rritur rrezikun për djegie dhe dëmtime të lëkurës.

Specialistët këshillojnë gjithashtu që konsumatorët të kontrollojnë shenjat fizike të produktit, si ndryshimi i teksturës, ndarja në shtresa, aroma e pazakontë apo ndryshimi i ngjyrës. Në raste të tilla, kremi nuk duhet përdorur.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është ruajtja e produktit. Temperaturat e larta dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell mund ta dëmtojnë kremin më shpejt, ndaj rekomandohet mbajtja e tij në vende të freskëta dhe larg nxehtësisë.

Ekspertët theksojnë se edhe kremrat e pahapur mund të humbasin efektivitetin me kalimin e viteve, prandaj në rast dyshimi është më e sigurt që të zëvendësohen me produkte të reja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit