

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, pritet të mos vijojë më në detyrën e tij në Shkup, sipas burimeve diplomatike dhe raportimeve mediatike.
Sipas këtyre burimeve, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke u shqyrtuar përfundimi i parakohshëm i mandatit të tij, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar publik mbi vendimin final.
Mësohet se ndryshimi vjen pas disa ankesave dhe pakënaqësive të shprehura nga faktorë politikë lokalë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përfaqësues të koalicionit “Vlen” dhe VMRO-DPMNE, lidhur me qëndrimet e ambasadorit në debatet politike që prekin çështje të ndjeshme për komunitetin shqiptar në vend.
Në fokus të këtyre diskutimeve kanë qenë edhe zhvillimet e fundit politike dhe çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e vendit.
Sipas të njëjtave burime, për ambasadorin Meidani po shqyrtohet një emërim i mundshëm në Kosovë, ndërsa për postin në Shkup përmendet si mundësi emërimi i diplomatit Petrit Malaj, megjithëse këto lëvizje ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk kanë dhënë ende një deklaratë publike lidhur me këto zhvillime.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





