Transmetuar më 19-05-2026, 13:20

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Shkup, të organizuar për të kërkuar të drejtën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në reagimin e tij publik, Mejdani theksoi se studentë nga Tirana udhëtuan drejt Shkupit për të mbështetur në mënyrë paqësore kërkesat e bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas ambasadorit, ndalimi dhe intimidimi i studentëve gjatë udhëtimit përbën një shqetësim që prek vetë frymën demokratike dhe vlerat europiane që synon rajoni.

“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon”, u shpreh Mejdani.

Ai shtoi se studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.

“Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare”, deklaroi ambasadori.

Mejdani nënvizoi se kërkesa për dinjitet dhe respekt të të drejtave nuk duhet të perceptohet si kërcënim, sidomos në vende që synojnë integrimin europian dhe ndërtimin e institucioneve mbi parimet e demokracisë dhe barazisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit