Transmetuar më 19-05-2026, 07:33

San Diego, 19 maj 2026 – Një sulm me armë zjarri në qendrën më të madhe islame të San Diego ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, duke lënë pas pesë viktima, mes tyre edhe dy autorët e ngjarjes.

Sipas policisë së San Diego, ngjarja ndodhi në lagjen Clairemont, ku persona të armatosur hapën zjarr brenda kompleksit islamik. Tre persona humbën jetën nga të shtënat, ndërsa dy autorët, të moshave 17 dhe 19 vjeç, u gjetën më pas të pajetë brenda një automjeti pranë xhamisë, pasi dyshohet se ishin vetëvrarë me armë zjarri.

Shefi i policisë, Scott Wahl, deklaroi se hetimet paraprake kanë zbuluar mesazhe anti-islamike në automjetin e autorëve. Mediat amerikane raportojnë gjithashtu se njëri prej të rinjve kishte marrë armën nga banesa e prindërve dhe kishte lënë një letër lamtumire para sulmit.

Presidenti i xhamisë, Ahmed Shabaik, konfirmoi se mes viktimave ndodhet edhe një roje sigurie.

Ngjarja ka shkaktuar panik në zonë, ndërsa dëshmitarët thanë se janë dëgjuar dhjetëra të shtëna me armë zjarri. Forca të shumta policie dhe emergjencash rrethuan menjëherë kompleksin, ku ndodhet edhe shkolla “Al Rashid”, që ofron mësime të gjuhës arabe dhe studime islame.

Pamjet e transmetuara nga mediat amerikane treguan nxënës dhe staf duke u larguar nga godina nën shoqërimin e forcave të rendit. Autoritetet konfirmuan se të gjithë fëmijët dhe punonjësit e shkollës janë të sigurt.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi pas ngjarjes duke e cilësuar atë si “një situatë të tmerrshme” dhe premtoi se rasti do të trajtohet me serioz maksimal nga autoritetet federale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit