

SHKUP – Koalicioni VLEN ka reaguar pas protestës së studentëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke adresuar akuza të forta ndaj Ali Ahmetit dhe BDI-së.
Në reagimin zyrtar, VLEN thekson se problemi me moszhvillimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe ka ekzistuar prej vitesh dhe, sipas tyre, përgjegjësia bie mbi ish-pushtetin e BDI-së.
Koalicioni vlerëson se protesta e studentëve është e drejtë demokratike, por shton se ajo po tentohet të përdoret politikisht nga kundërshtarët. Në deklaratë, VLEN e akuzon Ali Ahmetin se “hedh gurin dhe fsheh dorën”, duke pretenduar se ai përpiqet të përfitojë politikisht nga situata.
“BDI ka manipuluar për 20 vite me këtë çështje,” thuhet në reagim, ku theksohet se provimi i jurisprudencës nuk është zhvilluar asnjëherë në gjuhën shqipe gjatë periudhës së tyre në pushtet.
VLEN pretendon gjithashtu se disa prej figurave të BDI-së kanë qenë të pranishme në protestë, duke i cilësuar ata si përgjegjës për situatën aktuale. Koalicioni shton se çështja e provimeve në gjuhën shqipe tashmë është marrë përsipër nga qeveria dhe se po punohet për zgjidhjen e saj.
Në reagim theksohet se është zhvilluar një takim mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe drejtuesve të VLEN-it, ku është diskutuar për përfshirjen e gjuhës shqipe në provimet profesionale. Sipas tyre, zgjidhja pritet të vijë së shpejti.
VLEN u bën thirrje studentëve të mos ndikohen nga, siç i cilëson, manipulime politike, duke theksuar se çështja po trajtohet në nivel institucional.
Reagimi i plotë:
Protesta e sotme përfundoi, por e vërteta mbeti: BDI 20 vite manipuloi me gjuhën shqipe.
Sot jemi këtu sepse e vërteta duhet të thuhet siç është: Studentët sot protestuan kundër një padrejtësie ndaj tyre nga koha e BDI-së. Të gjithë shqiptarët e dinë se provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është zhvilluar në gjuhën shqipe.
Protesta është e drejtë demokratike dhe askush nuk e konteston këtë. Por, ne reagojmë kundër atyre që mundohen ta manipulojnë të njejtën.
Sot në protestë u shfaqën, pa fije turpi edhe dy fajtorët kryesor që provimi i jurisprudencës nuk mbahet shqip: Musa Xhaferi e Blerim Bexheti.
Këta që sot përpiqen ta ndezin këtë temë, përdorën pushtetin për t’u pasuruar në kohën kur duhej të ishte rregulluar problemi.
Ne kemi folur hapur me ju. Kemi pranuar kërkesën e tuaj dhe u kemi premtuar se problemin do ta zgjidhim.
Ju kërkuat që provimi i jurisprudencës të bëhet shqip, ne po i bëjmë shqip të gjitha provimet profesionale.
Për këtë sot në qeveri u zhvillua një takim mes kryeministrit Mickoski dhe kryetarëve të VLEN-it. Prandaj ne me shumë siguri ju themi: Provimet shumë shpejtë do të jenë edhe në SHQIP.
Shqiptarët nuk janë naivë. Ata e shohin shumë qartë se pas kësaj zhurme nuk qëndron halli i studentit, por halli i pushtetit të humbur.
Prandaj pyetja është tjetër. Pse Ali Ahmeti fshihet pas studentëve? Pse nuk u thotë shqiptarëve se këtë çështje nuk e zgjidhën kur kishte gjithë pushtetin në dorë?
Edhe një herë, Ali Ahmeti dëshmoi se e gjuan gurin dhe e fsheh dorën. E ndez zjarrin nga prapa, i shtyn tjerët përpara dhe pastaj mundohet të përfitojë politikisht.
Kjo temë nuk duhet të shndërrohet në përplasje mes institucioneve dhe studentëve.
Studentët janë fëmijët tanë.
Prandaj, i ftojmë studentët të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të kenë besim se këtë çështje tashmë e ka marrë në duar VLEN-I dhe se e njëjta po zgjidhet shumë shpejtë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





