Transmetuar më 18-05-2026, 18:33

Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës ka vijuar sot në Shkup, ku janë raportuar edhe tensione dhe ndalime nga policia.

Organizatori i protestës, Mevlan Ademi, ka deklaruar se disa studentë shqiptarë të ardhur nga Tirana janë shoqëruar dhe dërguar me forcë në drejtim të Kumanovës, ndërsa theksoi se tubimi ka qenë dhe mbetet paqësor.

Sipas tij, protesta është provokuar gjatë rrugës, ndërsa u bëri thirrje pjesëmarrësve të mbajnë lart flamurin shqiptar dhe të vijojnë demonstrimin në mënyrë paqësore.

“Ne vijmë të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës,” u shpreh Ademi, duke shtuar se edhe forcat e rendit duhet të garantojnë sigurinë e protestuesve.

Ndërkohë, autoritetet policore në Shkup kanë konfirmuar se tre studentë shqiptarë janë shoqëruar gjatë zhvillimeve të protestës, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e ndërhyrjes.

Protesta është mbajtur në sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë ligjore dhe kushtetuese.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit