

18 Maj 2026 | Shkup, Maqedonia e Veriut
Mijëra studentë shqiptarë dhe qytetarë kanë protestuar sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta u organizua nga studentë shqiptarë dhe nisi pranë Urës së Gurit në Shkup, për t’u shtrirë më pas në disa prej rrugëve kryesore të qytetit, nën brohoritje, flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Një nga pankartat kryesore mbante mesazhin: “Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes”.
Studentët kërkojnë zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe kundërshtojnë zhvillimin e provimit vetëm në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar këtë praktikë si diskriminuese dhe në kundërshtim me të drejtat kushtetuese.
“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon”, u shpreh një studente e Fakultetit Juridik në Universitetin “Nënë Tereza” në Kumanovë, duke theksuar se lëvizja është e organizuar nga vetë studentët dhe do të vijojë.
Në protestë morën pjesë edhe studentë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët u bashkuan në shenjë solidariteti me kërkesat e kolegëve të tyre në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo na takon me të vërtetë”, u shpreh një student tjetër, duke theksuar se protesta lidhet me të ardhmen e tyre profesionale.
Gjatë tubimit u dëgjuan edhe këngë patriotike, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat nuk do të ndalen nëse institucionet nuk reagojnë ndaj kërkesave të tyre.
Ndërkohë, mediat lokale raportuan se një grup studentësh nga Shqipëria është ndaluar në pikën kufitare të Bllatës, teksa po udhëtonin drejt Shkupit për t’iu bashkuar protestës, pa dhënë ende sqarime zyrtare për rastin.
Kjo është protesta e dytë e këtij lloji brenda vitit, pas asaj të mbajtur më 6 prill në Shkup, ku u kërkua gjithashtu respektimi i përdorimit të gjuhës shqipe në procedurat ligjore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





