Transmetuar më 18-05-2026, 10:56

Shkupi do të jetë sot qendra e një proteste të organizuar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të tyre në sistemin arsimor dhe profesional.

Sipas organizatorëve, protesta synon të ngrejë zërin kundër praktikave që, sipas tyre, cenojnë përdorimin e gjuhës shqipe në proceset e licencimit dhe vlerësimit profesional.

Në një deklaratë për “Ora News”, studentja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Hava Nasufi, u shpreh se protesta nuk është thjesht një tubim i zakonshëm, por një lëvizje për mbrojtjen e dinjitetit dhe identitetit kombëtar.

Ajo tha se studentët studiojnë për vite me radhë në gjuhën shqipe, por sipas saj, detyrohen që provimet për licencim profesional t’i japin në gjuhën maqedonase.

“Ne studiojmë katër apo pesë vite në gjuhën shqipe dhe në fund, për t’u licencuar si psikologë apo juristë, duhet të japim provimet në maqedonisht. Kjo nuk është e drejtë,” u shpreh Hava Nasufi.

Protesta pritet të nisë në orën 16:30 në Urën e Gurit në Shkup dhe më pas do të vijojë me marshim nëpër qytet, ku do të marrin pjesë studentë dhe qytetarë të tjerë shqiptarë.

Organizatorët theksojnë se çështja e gjuhës shqipe është një problem i vazhdueshëm për studentët shqiptarë në vend dhe se kërkohet trajtim më i barabartë në institucionet shtetërore dhe proceset e certifikimit profesional.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit