

Lëvizja e studentëve protestues në Serbi, e cila prej më shumë se një viti organizon protesta kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, ka publikuar një memorandum për Kosovën, ku shpreh kundërshtimin ndaj pavarësisë së saj dhe kërkon një zgjidhje të qëndrueshme në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
Dokumenti u prezantua në Kragujevac dhe më pas u shpërnda në rrjetet sociale zyrtare të studentëve protestues. Sipas memorandumit, Kosova konsiderohet “pjesë e patjetërsueshme dhe integrale e Serbisë”, dhe ruajtja e rendit kushtetues në këtë territor shihet si “garanci për mbijetesën e shtetit serb dhe paqen në rajon”.
Studentët e përshkruajnë Kosovën jo vetëm si një çështje territoriale, por edhe si pjesë thelbësore të identitetit kombëtar, historik dhe kulturor serb, duke përmendur simbole fetare dhe historike në Prizren, Pejë, Banjska dhe Graçanicë.
Megjithatë, dokumenti nënvizon se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në izolim dhe kërkon bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Serbisë. “Qëllimi ynë është një model që garanton paqe, siguri dhe mbrojtje të plotë të të drejtave të njerëzve që jetojnë në këtë territor”, thuhet në memorandum.
Studentët protestues kanë paralajmëruar gjithashtu një protestë të madhe në Beograd më 23 maj, ku kërkesa kryesore mbetet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat ata planifikojnë të garojnë përmes një liste të përbashkët studentore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





