

Vendimi i Pentagonit për të anuluar dislokimin e planifikuar të një brigade të blinduar amerikane në Poloni ka rritur pasiguritë mbi të ardhmen e pranisë ushtarake të SHBA-së në Evropë. Lëvizja prek mbi 4 mijë trupa dhe pajisje të rënda, pas disa ditësh nga njoftimi për reduktimin e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania.
Megjithatë, Kosova nuk është prekur nga këto ndryshime. Në një komunikim zyrtar me Albanian Post, Pentagoni konfirmoi se nuk ka ndryshime të planifikuara për praninë amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, thekson se prania amerikane në Kosovë ka një rëndësi strategjike dhe simbolike që shkon përtej numrit të trupave: “Në rastin tonë, prania ushtarake amerikane është jetike; është çështje ekzistence, lirie dhe e vetë shtetit tonë”.
Kosova mbetet një prioritet strategjik për SHBA-në në Ballkan, me bazën ushtarake Bondsteel pranë Ferizajt si një nga asetet më të rëndësishme. Ajo shërben si qendra kryesore e operacioneve amerikane dhe si nyje logjistike kyçe për NATO-n në rajon.
Sipas të dhënave, aktualisht rreth 690 trupa amerikane ndodhen në Kosovë si pjesë e KFOR-it. Edhe pse numri i trupave është modest krahasuar me Gjermaninë, Itali apo Poloni, pesha politike dhe strategjike e pranisë amerikane është disproporcionale dhe mban një efekt parandalues të rëndësishëm në rajon.
Ndërkohë që SHBA po redukton praninë në disa vende evropiane për të rritur fokusin ndaj Indo-Paqësorit dhe krizave të tjera globale, Kosova mbetet një pikë kyçe strategjike ku ndikimi amerikan ka një vlerë simbolike dhe reale të jashtëzakonshme për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





