

Një operacion kërkimi me rrezik të lartë po zhvillohet në Maldivet, ku autoritetet dhe ekipe ndërkombëtare janë angazhuar për gjetjen e katër zhytësve italianë të zhdukur pas një incidenti në një shpellë nënujore të njohur si “Shpella e Peshkaqenëve”, në atolin Vaavu Atoll.
Sipas autoriteteve lokale, operacionet janë përfshirë nga një tjetër tragjedi, pasi një zhytës ushtarak i angazhuar në kërkime ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes së dekompresionit, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të kërkimeve zyrtare.
Në operacion janë përfshirë ekipe specialistësh nga Finlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, ndërsa kërkimet pritet të rifillojnë me ekipe private evropiane të angazhuara nga familjarët dhe autoritetet italiane.
Katër persona ende të zhdukur
Mes të zhdukurve ndodhen një profesoreshë e njohur e ekologjisë nga Universiteti i Gjenovës, vajza e saj dhe dy zhytës të tjerë me përvojë. Ndërkohë, trupi i një instruktori zhytjeje është gjetur më herët pranë hyrjes së shpellës.
Sipas hetimeve paraprake, bombola e oksigjenit e instruktorit të gjetur ishte bosh, duke ngritur dyshime se ai mund të ketë tentuar të dalë nga shpella, por është çorientuar në kushte të vështira nënujore.
Një nga zonat më të rrezikshme për zhytje
Shpella ku ndodhi ngjarja ndodhet në një thellësi prej 50 deri në 60 metrash dhe karakterizohet nga korridore të ngushta, dukshmëri e ulët dhe rryma të forta nënujore, duke e bërë një nga zonat më të rrezikshme për zhytje në rajon.
Hetimet po fokusohen në disa pista, përfshirë mungesën e oksigjenit, çorientimin në shpellë, probleme teknike me pajisjet dhe ndikimin e rrymave të forta. Po ashtu po shqyrtohet edhe mundësia e një zinxhiri gabimesh gjatë përpjekjeve për ndihmë, që mund të ketë çuar në panik dhe konsum të shpejtë të ajrit.
Autoritetet italiane dhe ndërkombëtare po vijojnë hetimet, ndërsa familjarët e viktimave kanë kërkuar transparencë të plotë mbi rrethanat e tragjedisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





