

Një studim i ri gjenetik, i realizuar në bashkëpunim me një ekip ndërkombëtar studiuesish dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, sugjeron se popullata shqiptare e sotme përfaqëson vazhdimësinë e popullsive të hershme të Ballkanit, të lidhura me periudhën ilire.
Kërkimi është zhvilluar në laboratorin e Qendrës së Kërkimeve të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, ku janë analizuar mostra nga zona të ndryshme të Shqipërisë, me fokus në linjat mashkullore dhe lëvizjet demografike historike.
Sipas studiuesit Ilia Mikerezi, analizat e markerëve gjenetikë dhe haplogrupeve tregojnë se popullata shqiptare e sotme është “vazhdimësi e popullatave të hershme që kanë banuar zonën e Ballkanit dhe hapësirat e Ilirisë”.
Rreth 75% e linjave mashkullore me origjinë paleo-ballkanike
Në simpoziumin e zhvilluar në Akademia e Shkencave e Shqipërisë, u prezantuan të dhëna sipas të cilave rreth 75% e linjave mashkullore shqiptare lidhen me popullata paleo-ballkanike, të datuara në epokën e bronzit.
Studiuesi Gjergj Bojaxhi deklaroi se rezultatet e studimit tregojnë një strukturë të hershme demografike të përbërë nga disa bërthama popullsie që kanë mbijetuar dhe më pas janë shpërndarë në territor.
Sipas tij, këto grupe janë përqendruar historikisht në zona të ndryshme, përfshirë juglindjen e vendit, zonën e Dibrës dhe Matit, si dhe hapësirat që sot përfshijnë Kosovën, nga ku më pas është zhvilluar një rishpërndarje demografike në territore të tjera shqipfolëse.
Migrimet historike dhe ngjashmëritë rajonale
Studiuesit theksojnë gjithashtu se ngjashmëritë gjenetike mes popullsisë shqiptare dhe asaj greke lidhen me migrime të hershme nga zona e Anatolisë gjatë epokës së bronzit, si dhe me lëvizje të mëvonshme nga veriu i Europës gjatë periudhës mesjetare.
Sipas tyre, studimi synon të vijojë me analiza të mëtejshme për të vlerësuar edhe përputhjen e kufijve gjenetikë me variacionet dialektore në rajon.
Ky projekt kërkimor, i nisur tre vite më parë, pritet të sjellë rezultate të tjera në vijim mbi historinë demografike të popullsisë shqiptare në Ballkan.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





