

Siguria e ushqimeve në tregun e Kosovës mbetet një nga çështjet që shpesh ngre pikëpyetje te konsumatorët, pavarësisht kontrolleve që kryhen nga institucionet përgjegjëse.
Profesori i Teknologjisë Ushqimore, Valdet Gjinovci, në një intervistë për podcastin “5 pyetje” të Radios Evropa e Lirë, thekson se produktet e importuara i nënshtrohen një zinxhiri kontrolli, që përfshin verifikim dokumentacioni dhe analiza laboratorike, në bazë të vlerësimit të riskut.
Sipas tij, kur në ndonjë shtet tjetër ngrihet alarm për një produkt të caktuar, autoritetet në Kosovë ndërmarrin masa të menjëhershme për kontroll dhe, nëse është e nevojshme, largimin e tij nga tregu.
Gjinovci thekson se një element kyç i sigurisë ushqimore është etiketimi i produkteve, të cilin e cilëson si “letërnjoftimin” e ushqimit, pasi u mundëson konsumatorëve të njihen me përbërjen, origjinën dhe afatin e përdorimit.
Ai ngre si shqetësim edhe sfidat institucionale, veçanërisht numrin e kufizuar të inspektorëve që merren me kontrollin në terren, duke vënë në dukje nevojën për forcim të kapaciteteve mbikëqyrëse.
Në fund, eksperti apelon për rritje të vetëdijes së qytetarëve, duke i këshilluar ata të jenë të kujdesshëm ndaj etiketave, kushteve të ruajtjes dhe vendit të blerjes së produkteve ushqimore, sidomos në periudha me temperatura të larta.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





