

Këngëtarja Rozana Radi ka rrëfyer për herë të parë një situatë të papritur që lidhet me një nga projektet e saj muzikore, duke treguar se u detyrua të tërhiqej nga publikimi i një kënge pasi mësoi se ajo ishte shitur dy herë nga kompozitori.
Radi tha se projekti ishte menduar si një bashkëpunim me DJ Iliano, bazuar në një këngë të Rezarta Shkurtës. Gjatë përgatitjeve për videoklipin, ajo zbuloi probleme me të drejtat e autorësisë, çka e detyroi të ndalonte publikimin e projektit.
“Mua më është ofruar në janar një këngë nga DJ Iliano, e cila më pas rezultoi të ishte një projekt i Rezarta Shkurtës. Para se të pranoja bashkëpunimin, pyeta nëse ishin marrë të gjitha të drejtat e autorësisë dhe firmat përkatëse nga autori dhe kompozitori. M’u tha se gjithçka ishte në rregull dhe ligjërisht e përfunduar. Duke qenë se Rezarta kishte versionin origjinal, ne realizuam një version remix, të cilin e performova më 14 shkurt në qendër të Tiranës. Kur nisëm përgatitjet për videoklipin, vendosa të verifikoja edhe një herë dokumentacionin. Në atë moment kuptova se kënga ishte shitur dy herë nga kompozitori. Edhe pse unë kisha investuar për këtë projekt dhe videoklipi ishte gati, vendosa të tërhiqem. I uroj suksese këngëtares dhe dua t’u bëj thirrje të gjithë artistëve që të tregohen shumë të kujdesshëm me kontratat dhe të drejtat e autorit, që të mos përballen me situata të tilla në të ardhmen,” tha ajo.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





