

Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Gjykatat Penale në Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Gjykatat Penale në Haga ka rrëzuar kërkesën për lirim të ish-gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte.
Mlladiç kishte kërkuar lirimin e përkohshëm ose me kusht, duke argumentuar se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe “pranë vdekjes”, me qëllim transferimin në një spital të specializuar ose qendër kujdesi paliativ.
Vendimi u dha nga presidentja e IRMCT, Graciela Gatti Santana, e cila pranoi se gjendja e tij shëndetësore është “shumë serioze, në përkeqësim dhe pranë vdekjes”, por theksoi se kjo nuk përbën arsye për lirimin e tij.
Sipas vendimit, kushtet në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së dhe në spitalin e burgut janë të mjaftueshme për të garantuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, pa krijuar trajtim çnjerëzor apo të papërshtatshëm.
“Nuk ka trajtim shtesë të disponueshëm diku tjetër që nuk është i disponueshëm në Holandë”, thuhet në arsyetim.
Autoritetet theksojnë se Mlladiç ka përfituar prej vitesh trajtim të përshtatur për problemet e tij shëndetësore dhe se ka akses të vazhdueshëm në vizita familjare dhe kontakte me të afërmit.
Sipas vendimit, ai mund të shoqërohet nga familjarët edhe në momentet e fundit të jetës.
Avokatët e tij kishin argumentuar se gjendja e tij është e pakthyeshme dhe se ai duhet të transferohej në kujdes paliativ, por kërkesa u refuzua.
Ratko Mlladiç u dënua përfundimisht në vitin 2021 për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe për persekutimin e civilëve boshnjakë dhe kroatë gjatë luftës së viteve 1992–1995, rrethimin e Sarajevë dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





