

Nata e dytë gjysmëfinale e Eurovision Song Contest 2026 solli një lajm të madh për publikun shqiptar: Alis është kualifikuar në Finalen e Madhe. Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe emocional të këngës “Nân”, artisti shqiptar elektrizoi skenën e Wiener Stadthalle në Vjenë, duke siguruar për Shqipërinë një vend në natën finale të së shtunës.
Performanca e Alis u vlerësua si një nga momentet më mbresëlënëse të mbrëmjes. Me siguri artistike, interpretim të qëndrueshëm vokal dhe një prezencë skenike moderne, ai arriti të tërhiqte menjëherë vëmendjen e publikut në sallë dhe të miliona teleshikuesve në mbarë Evropën.
Kënga “Nân” u shoqërua me efekte vizuale të kuruara në detaj, ndërsa duartrokitjet dhe brohoritjet në fund të performancës konfirmuan entuziazmin e publikut. Gjatë gjithë javës së festivalit, mediat ndërkombëtare e kanë renditur këngën shqiptare mes performancave më të forta dhe vokalisht më të realizuara të këtij edicioni.
Në atmosferën elektrizuese të Vjenës, një vëmendje të veçantë mori edhe Flamuri Kuqezi. Si në “Green Room”, ashtu edhe mes spektatorëve në arenë, prania e flamurit shqiptar u shndërrua në simbol të krenarisë dhe mbështetjes për përfaqësimin e Shqipërisë në jubileun e 70-të të festivalit evropian.
Pas televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u rendit mes 10 shteteve të kualifikuara nga gjysmëfinalja e dytë, duke iu bashkuar finalistëve të natës së parë, vendeve të “Big 5” dhe shtetit mikpritës.
Shtetet e kualifikuara nga gjysmëfinalja e dytë janë:
Shqipëria – Alis – “Nân” Australia – Delta Goodrem – “Eclipse” Bullgaria – Dara – “Bangaranga” Çekia – Daniel Zizka – “CROSSROADS” Danimarka – Søren Torpegaard Lund – “Før vi går hjem” Malta – AIDAN – “Bella” Norvegjia – JONAS LOVV – “YA YA YA” Qipro – Antigoni – “Jalla” Rumania – Alexandra Căpitănescu – “Choke me” Ukraina – LELÉKA – “Ridnym”
Tashmë vëmendja është përqendruar te Finalja e Madhe, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me synimin për t’i dhuruar Shqipërisë një rezultat historik në Eurovision Song Contest 2026.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





