

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar zyrtarisht lidhur me rastin e helmimit të 56 kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë me dije se analizat laboratorike kanë evidentuar një produkt ushqimor jokonform me standardet e sigurisë ushqimore.
Sipas njoftimit të AKU-së, janë marrë në analizë nëntë mostra ushqimore, përfshirë lëndë të para dhe produkte të gatshme. Nga rezultatet e laboratorit të referencës pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë rezultoi se tetë mostra ishin brenda normave, ndërsa një kampion me makarona të gatshme rezultoi me ngarkesë mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv.
Mostra problematike ishte marrë në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë në Sauk. Pas këtyre gjetjeve, AKU urdhëroi ndërprerjen e aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të hetimeve dhe gjurmimit të origjinës së produkteve ushqimore, kontrollet janë shtrirë edhe në Garnizonin “Skënderbej”, pranë Forcave të Armatosura, ku prodhoheshin ushqimet e shpërndara.
Sipas AKU-së, pas konstatimeve të institucioneve shëndetësore dhe rezultateve jokonforme të higjienës në kampionët e ruajtur dhe në disa pajisje pune, është pezulluar aktiviteti edhe i subjektit “SORI-AL” në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”.
Ndaj subjektit është vendosur gjithashtu një masë administrative me gjobë në vlerën 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu kompaninë të kryejë procedurën e asgjësimit të produktit të bllokuar, i cili rezultoi jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.
REAGIMI I AKU:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).
Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.
Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,
AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.
Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare. Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





