Transmetuar më 14-05-2026, 15:00

Dubai ka hapur zyrtarisht plazhin e dedikuar ekskluzivisht për femrat, një projekt që synon të garantojë privatësi maksimale dhe kushte moderne për pushim, sport dhe aktivitete rekreative.

Plazhi ndodhet në zonën Al Mamzar dhe është pjesë e iniciativës “Al Mamzar Beaches Initiative”, e cila zhvillohet në kuadër të planit urbanistik “Dubai 2040”, që synon transformimin e vijës bregdetare të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Hapësira është e rrethuar dhe me hyrje të kontrolluar, ndërsa i gjithë personeli – përfshirë rojet e sigurisë dhe ekipet e shpëtimit – përbëhet vetëm nga gra. Autoritetet kanë ndaluar përdorimin e kamerave dhe pajisjeve regjistruese, me qëllim garantimin e privatësisë së vizitoreve.

Plazhi është i hapur për gra dhe fëmijë, vetëm çdo të hënë dhe të mërkurë, ndërsa djemtë mbi moshën gjashtë vjeç nuk lejohen. Meshkujt nuk kanë akses në këtë zonë.

Gjatë këtyre ditëve, edhe stafi përbëhet nga gra, kështu që klientet e tyre femra mund të gëzojnë rehati të plotë.

Një nga veçoritë e tij është funksionimi 24 orë, përfshirë mundësinë për not gjatë natës, nën mbikëqyrjen e ekipeve të shpëtimit. Zona është e pajisur me ndriçim të posaçëm, pika emergjence dhe kulla vrojtimi.

Kompleksi ofron gjithashtu infrastrukturë të gjerë sportive dhe rekreative, përfshirë pista vrapi dhe biçikletash, fusha padeli, palestra në ambient të hapur, si dhe aktivitete ujore si kajak dhe paddle boat. Në dispozicion të vizitorëve janë edhe restorante, kafene buzë detit, zona pikniku dhe kabina me ajër të kondicionuar.

Ndërkohë, autoritetet e Dubait vijojnë me projekte të tjera ambicioze urbane dhe turistike, në kuadër të strategjisë për forcimin e pozicionit të qytetit si një nga qendrat kryesore globale të turizmit dhe inovacionit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit