

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve në tregun vendas ka vënë në vështirësi operatorët e transportit publik, të cilët kërkojnë zgjatjen edhe me tre muaj të skemës së kompensimit për naftën.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, prej gati tre muajsh çmimet e karburanteve vijojnë të mbeten në nivele të larta, situatë e ndikuar nga tensionet dhe konflikti në Iran, duke rritur ndjeshëm kostot e operimit për transportin publik qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas.
Në këto kushte, Shoqata e Transportit Publik Qytetas i është drejtuar qeverisë me një kërkesë zyrtare për shtyrjen e periudhës së kompensimit financiar për muajt korrik–shtator 2026.
Në mbledhjen e fundit, qeveria miratoi kompensimin e naftës në masën 50 lekë për litër për periudhën mars–maj. Megjithatë, operatorët argumentojnë se vijimi i çmimeve të larta të karburantit po rëndon ndjeshëm barrën financiare të kompanive të transportit.
Në letrën drejtuar institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Pushtetit Vendor, Ministria e Financave dhe Ministrinë e Energjisë, shoqata kërkon që masa mbështetëse të vijojë me të njëjtat procedura dhe kritere të përcaktuara në aktin normativ në fuqi.
Përfaqësuesit e transportit publik theksojnë se zgjatja e kompensimit është e domosdoshme për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, shmangien e reduktimit të flotës dhe frekuencave të autobusëve, si edhe ruajtjen e balancës financiare të operatorëve të licencuar.
Sipas tyre, karburanti përbën një nga kostot kryesore të aktivitetit dhe rritja e çmimeve po e vështirëson përmbushjen e detyrimeve financiare të kompanive të sektorit.
Përpara miratimit të skemës aktuale të kompensimit, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kishin paralajmëruar vazhdimisht institucionet për pasojat financiare që po shkaktonte rritja e çmimit të naftës.
Më 1 prill, operatorët zhvilluan edhe një takim me ministren Delina Ibrahimaj, ku kërkuan rikthimin e skemës së vitit 2022. Në atë periudhë, për shkak të krizës së çmimeve, kompanitë e transportit u kompensuan për gjashtë muaj me 100 lekë për litër karburant.
Për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre, operatorët reduktuan për gati dy ditë flotën e autobusëve në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, duke ulur numrin e mjeteve në qarkullim deri në 60 për qind.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





