Transmetuar më 13-05-2026, 22:54

Serbi – Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka kërkuar krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar rastet e 135 shqiptarëve që humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ).

Sipas Kamberit, këto vrasje të shqiptarëve gjatë viteve ’70 dhe ’80 shpesh u klasifikuan nga autoritetet jugosllave si “aksidente”, “vetëvrasje” apo “shkelje disipline”.

Ai vuri në dukje se familjet e viktimave shpesh raportuan gjurmë dhune në trupat e të rinjve të kthyer nga ushtria, ndërsa mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës ka krijuar dyshime për motive etnike dhe politike.

Kamberi tha se shqiptarët në ish-Jugosllavi përballeshin me diskriminim sistematik brenda ushtrisë, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku shqiptarët konsideroheshin “element separatist” dhe të pabesueshëm për shtetin federativ.

Deputeti kritikoi faktin që Serbia nuk ka pranuar kurrë përgjegjësi zyrtare dhe nuk ka hapur hetime institucionale mbi këto vdekje, ndërsa arkivat ushtarake mbeten të mbyllura dhe çështja është e izoluara nga historiografia dhe diskursi publik serb.

Për këtë arsye, Kamberi propozon formimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar, ku të përfshihen organizata për të drejtat e njeriut, ekspertë të drejtësisë tranzicionale dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Ai pohoi se pa zbardhjen e këtyre rasteve dhe ballafaqimin serioz me të kaluarën, rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi do të vazhdojë të shihet me mosbesim nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit