Transmetuar më 13-05-2026, 16:04

Mjekët toksikologë në Shqipëri po ngrenë alarmin për rritjen e vazhdueshme të konsumit të lëndëve narkotike tek të rinjtë, ndërsa mosha e përdorimit të substancave të forta po ulet ndjeshëm.

Sipas toksikologes Sonila Tivari Bitri, trendi i viteve të fundit tregon se kanabisi nuk është më substanca e vetme që përdoret në moshë të hershme, pasi gjithnjë e më shumë adoleshentë po konsumojnë edhe kokainë.

“Ajo që po shohim është se kanabisi ka qenë substanca e parë dhe më e përdorur në mosha të vogla, por tani po prevalon edhe konsumimi i kokainës tek të rinjtë. Ulja e moshës së përdorimit sjell pasoja të rënda për shëndetin fizik, mendor dhe social”, u shpreh mjekja.

Sipas saj, rastet e konsumimit të kanabisit regjistrohen edhe tek fëmijë 11 dhe 12 vjeç, ndërsa përdorimi i kokainës po haset tek të rinj 18 deri në 20 vjeç.

Toksikologia thekson se deri pak vite më parë kokaina konsiderohej një substancë elitare, e lidhur me statusin social dhe grupmosha më të rritura, por sot situata ka ndryshuar ndjeshëm.

“Po shohim që edhe adoleshentët konsumojnë kokainë. Në shumë raste ata përfshihen edhe në rrjetin e shpërndarjes, çka e bën më të lehtë aksesin ndaj saj”, deklaroi ajo.

Mjekët apelojnë për më shumë ndërgjegjësim dhe masa parandaluese, duke theksuar se eksperimentimi me drogërat nis shpesh nga kureshtja apo presioni shoqëror, veçanërisht në ambiente festive dhe mes të rinjve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit