

Orët e fundit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë u trazuan disi pas një interviste që ministri ynë i Jashtëm Ferit Hoxha dha për Euractiv e cila e citoi të ketë thënë se Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e emigracionit me Italinë përtej vitit 2030. Deklarata erdhi pasi marrëveshja skadon më 2029.
Qeveria e Giorgia Melonit po përdor dy qendrat në Gjadër dhe Shëngjin si qendra ndalimi për emigrantët që nuk kanë arritur të fitojnë azil në Itali. Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të disa qeverive evropiane për të zhvendosur fizikisht praninë e emigrantëve jashtë kufijve të tyre.
Marrëveshja pesëvjeçare u ratifikua në fillim të vitit 2024 dhe është shoqëruar me polemika politike dhe probleme ligjore. Për të vazhduar pas vitit 2029, do të kërkohej një zgjatje, vetëm disa muaj para afatit që Shqipëria i ka vendosur vetes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Së pari, marrëveshja është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt se do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, u citua z. Hoxha.
“Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje”, shtoi ai, duke iu referuar objektivit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030. “Pasi Shqipëria të anëtarësohet, vendi nuk do të jetë më territor ekstraterritorial, por territor i Bashkimit Evropian”, u shpreh ai në Bruksel ku ndodhej për një takim me ministrat e Jashtëm të BE-së.
Por, a do të hakmerrej Italia duke penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE nëse marrëveshja nuk zgjatet? Hoxha dha këtë përgjigje:
“Italisë i duhej ndihmë. Ne e ndihmuam. Dhe kjo nuk mund të harrohet”, deklaroi Hoxha.
MPJ del me sqarim publik
Deklarata e cituar bëri bujë dhe pak orë më pas Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha u detyrua të dalë me një sqarim:
"Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”
Hoxha shtoi se kjo që ai tha ishte reflektim personal dhe jo vendim: "Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet".
Ai kërkoi që kjo deklaratë të mos interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin.
Rama sqaron Hoxhën
Edhe pse Hoxha u përpoq të sqarojë deklaratën e tij, Kryeministri Edi Rama u detyrua edhe ai të dilte me një sqarim të dytë. Por ndryshe nga Hoxha, Rama ishte i drejtpërdrejtë dhe i prerë, futet apo jo Shqipëria në BE, kampet e refugjatëve do të jenë aty për sa kohë që të dojë Italia.
"Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë".
Kjo deklaratë përmbys tërësisht atë të Hoxhës, por disa thonë se nëse deklarata e MPJ ishte e mbështetur në faktin se nuk mund të ketë kampe refugjatësh të një vendi të BE te një tjetër vend i Unionit, Rama doli me dorë të fortë duke e shpërfillur këtë dhe duke siguruar se për sa kohë të dojë, Italia do ti ketë kampet e saj në Shqipëri.
Kjo deklaratë duket se i shijoi kryeministres italiane Meloni. Ajo rishpërndau deklaratën e Ramës, duke i shprehur atij mirënjohje: "Faleminderit Edi"!
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





