Transmetuar më 13-05-2026, 08:30

Më shumë se një në tre të burgosur në Kosovë është nën moshën 30-vjeçare, duke e renditur vendin me përqindjen më të lartë të të rinjve në sistemin korrektues në rajon.

Të dhënat janë publikuar në fund të muajit prill në kuadër të Indeksit të Pjesëmarrjes së Rinisë dhe tregojnë një përkeqësim të situatës krahasuar me një vit më parë, kur Kosova renditej e dyta pas Shqipërisë.

Sipas Ferid Murseli, shifrat nuk pasqyrojnë vetëm problematikat e sistemit penal, por edhe një krizë më të gjerë sociale dhe ekonomike që prek të rinjtë në vend.

“Në vendin tonë çdo ditë thuhet se rinia është e ardhmja, por këto statistika tregojnë qartë se ku ndodhet sot rinia në aspektin social, ekonomik dhe politik”, deklaroi ai për Radio Evropa e Lirë.

Raporti evidenton se rreth 35 për qind e të rinjve në Kosovë janë jashtë sistemit arsimor, tregut të punës dhe trajnimeve profesionale, niveli më i lartë në rajon. Po ashtu, Kosova ka shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së të rinjve në fuqinë punëtore.

Ekspertët vlerësojnë se mungesa e mundësive ekonomike, papunësia, dështimi arsimor dhe mungesa e mbështetjes sociale po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të të rinjve që bien në konflikt me ligjin.

Hulumtuesja Donika Gashi thekson se fenomeni nuk duhet parë vetëm si çështje kriminaliteti.

“Kjo statistikë është simptomë e pasigurisë ekonomike, margjinalizimit social dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, institucionet reagojnë kryesisht pasi problemi ka ndodhur, ndërsa mungojnë politikat parandaluese në shkolla, qendrat sociale dhe shërbimet e shëndetit mendor.

Ekspertët kërkojnë më shumë investime në arsim profesional, orientim në karrierë, qendra rinore, aktivitete sportive dhe kulturore, si dhe programe rehabilitimi dhe riintegrimi për ish-të burgosurit.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e të miturve paralajmërojnë se izolimi i të rinjve në institucione korrektuese mund të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin emocional dhe social të tyre.

Avokatja Kate Burdick deklaroi se të rinjtë kanë nevojë për mbështetje dhe jo për trauma shtesë.

“Kërkimet tregojnë se alternativat ndaj burgimit, si programet komunitare, mentorimi dhe drejtësia restauruese, janë më efektive në uljen e rikthimit në krim sesa izolimi në institucione”, tha ajo.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa politika afatgjata dhe investime serioze në rininë, situata mund të përkeqësohet edhe më tej në vitet e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit