Transmetuar më 12-05-2026, 19:17

Shqipëria po përballet me një rritje alarmante të obezitetit, ndërsa ekspertët e shëndetit publik kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme përmes politikave fiskale që synojnë frenimin e konsumit të ushqimeve dhe pijeve të pashëndetshme.

Sipas studimit “Politikat Fiskale për Shëndetin: Roli i taksave mbi ushqimet për një dietë të shëndetshme”, të hartuar nga ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, rekomandohet rritja e taksave për pijet me sheqer dhe ushqimet e përpunuara, si dhe ulja e kostos për produktet ushqimore të shëndetshme.

Të dhënat më të fundit të vitit 2025 tregojnë se mbi 30% e burrave dhe 28% e grave në Shqipëri janë obezë. Situata paraqitet shqetësuese edhe te fëmijët, ku obeziteti prek rreth 14% të tyre.

Ekspertët paralajmërojnë se kequshqyerja dhe konsumi i lartë i produkteve me përmbajtje të lartë sheqeri, yndyre dhe kripe po ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e rasteve me diabet, hipertension dhe sëmundje kardiovaskulare, të cilat mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në vend.

Përballë kësaj situate, specialistët propozojnë përdorimin e taksave shëndetësore si instrument për të dekurajuar konsumin e produkteve të dëmshme. Në të njëjtën kohë, ata sugjerojnë subvencionimin e ushqimeve cilësore, si frutat, perimet dhe drithërat integrale, me synimin për t’i bërë më të përballueshme për konsumatorët, veçanërisht për shtresat me të ardhura të ulëta.

Sipas studimit, çmimi mbetet një nga faktorët kryesorë që ndikon në zgjedhjet ushqimore të qytetarëve, ndaj politikat fiskale konsiderohen një mekanizëm efikas për të orientuar konsumatorët drejt një diete më të shëndetshme.

Ekspertët sjellin në vëmendje edhe praktikat ndërkombëtare. Mbretëria e Bashkuar, që prej vitit 2018, aplikon taksën mbi pijet freskuese me sheqer, një masë që detyroi prodhuesit të reduktonin përmbajtjen e sheqerit në produktet e tyre.

Ndërkohë, Franca ka vendosur një taksë progresive mbi pijet sipas nivelit të sheqerit, ndërsa Sllovenia rriti në vitin 2025 TVSH-në për pijet me sheqer nga 9.5% në 22%.

Modele të ngjashme janë ndjekur edhe në Amerikën Latine. Kolumbia ka nisur taksimin e ushqimeve shumë të përpunuara me përmbajtje të lartë kripe dhe yndyrash, ndërsa Hungaria prej vitesh aplikon akcizë për ushqimet e pashëndetshme, duke ndikuar në ndryshimin e zakoneve ushqimore të popullsisë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në zbatimin e këtyre politikave, për shkak të rezistencës së industrisë ushqimore dhe ndikimit të grupeve të interesit.

Sipas analizës së publikuar, vetëm gjatë vitit 2016 mbi 111 mijë raste të diabetit në Shqipëri lidheshin me mbipeshën dhe obezitetin, ndërsa kostoja ekonomike e tyre kapte vlerën e më shumë se 84 milionë dollarëve.

Ekspertët vlerësojnë se taksat shëndetësore duhet të konsiderohen si një investim për mbrojtjen e sistemit shëndetësor dhe reduktimin e barrës së sëmundjeve kronike në vend.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit