Transmetuar më 11-05-2026, 22:03

Studentë të drejtësisë nga universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar vijimin e protestave, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.

Pas protestave të zhvilluara në Shkup, ata kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me tubime dhe aktivitete deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas organizatorëve, nisma pritet të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit, përmes debateve dhe takimeve studentore.

Organizatori i protestave, Mevlan Ademi, deklaroi se qëllimi kryesor është bashkimi i studentëve shqiptarë dhe sigurimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet përkatëse, përfshirë edhe procesin e provimit të jurisprudencës.

“Takohemi me studentët e Kumanovës, dëgjojmë sugjerimet e tyre dhe synojmë një qëndrim të përbashkët. Bashkimi i studentëve shqiptarë është shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Ademi.

Edhe studentja Arlinda Emini theksoi se takimet kanë për qëllim koordinimin e mëtejshëm të protestave dhe informimin e sa më shumë studentëve mbi kërkesat e tyre.

“Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutojmë për protestën e realizuar dhe të vazhdojmë në mënyrë të njëjtë, si dhe të informojmë sa më shumë studentë mbi çështjen e provimit të Jurisprudencës”, deklaroi ajo.

Studentët kërkojnë që e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset akademike dhe institucionale të respektohet plotësisht, duke e cilësuar këtë si një çështje me rëndësi të veçantë për ta.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit